Keita zbulon objektivin: Shënoj 20 gola, dua që interistët të më mbajnë mend gjithmonë

Keita Balde ka folur për “Sky Sport”, ku deklaron objektivin e tij personal për këtë sezon dhe ndalet te gjendja e ekipit. Interi viziton Parmën të shtunën dhe senegalezi ka kujtime të bukura nga ekipi emilian. Në fund ai flet për rolin në fushë dhe për kapitenin, Mauro Ikardi.

Objektivi – “Mendoj që mund të arrij të shënoj 15-20 gola këtë sezon, sepse do t’i kem rastet për të shënuar. Unë përpiqem të shfrytëzoj në maksimum cilësitë e mia. Kemi një grup të shkëlqyer me djem të talentuar dhe është një kënaqësi që ndodhem këtu. Skuadra është shumë e fortë, jemi shumë lojtarë të rinj, që duhet të kuptohemi në lojë, por jemi të fortë.”

Parma – “Objektivi ynë është të fitojmë ndeshjen e së shtunës, pavarësisht se kush shënon. Golin tim të parë në Seria A ia kam shënuar Parmës. E mbaj mend mirë, fitova një duel, driblova Miranten dhe shënova.”

Qëllimi dhe pozicioni në fushë – “Dua të vazhdoj të jem pjesë e këtij klubi të madh. Dua që të gjithë tek Interi të kujtojnë emrin tim në të ardhmen. Roli im kryesor është anësor sulmi, sepse më pëlqen të dribloj kundërshtarët dhe aty mund të bëj diferencën.

Kam luajtur dhe si sulmues i parë, ose i dytë dhe ka shumë opsione. Kam luajtur me futbollistë me eksperiencë dhe të fortë dhe kjo gjë të bën të mësosh shumë. Jam akoma i ri, mund të përmirësohem dhe mund të bëj diferencën si titullar, por dhe si zëvendësues.“

Ikardi – “E njoh që nga koha, kur ishim pjesë e moshave të Barcelonës. Ai është një sulmues, që ndoshta nuk e sheh shpesh, por brenda zonës, vështirë që humbet ndonjë rast për gol.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *