Kazu Miura rekord botëror, 50 vjeç duke festuar në fushë

0

Futbollisti japonez Kazujoshi Miura vazhdon të shkruajë legjendën e tij personale, që e ka futur në historinë e futbollit, sepse jo vetëm që nuk ka ndërmend të ndalet, por tashmë ka vendosur edhe rekordin e gjithë kohërave në futbollin profesionist: futbollisti më i moshuar në aktivitet dhe më i moshuari në absolut që ka zbritur në fushë, në moshën 50 vjeç e një javë.

Sulmuesi legjendar aktivizohet prej vitesh te Jokohama FC, në divizionin e dytë japonez, kampionat goxha cilësor, edhe pse është kategori e dytë.

Para 10 ditësh nisi kampionati dhe Miura luajti titullar në fitoren 1-0 ndaj Jamagas, derisa u zëvendësua në minutën e 60-të, mes ovacioneve të publikut, ndërsa fundjavën e shkuar luajti 54 minuta në Nagasaki, duke vendosur rekordin, që mbahej nga Sër Stenli Methjus, i cili ka luajtur ndeshjen e fundit si profesionist në moshën 50 vjeç e 5 ditë, në vitin 1965.

“Mbreti Miura”, si e thërrasin në Japoni, ka një histori për film, sepse ka luajtur nga Brazili deri në Serinë A me Xhenoan, si dhe me kombëtaren japoneze për shumë vite (pengu i madh, nuk ka luajtur në Kupën e Botës), ndërsa prej vitesh është te Jokohama, ku vazhdon të shkëlqejë dhe të jetë shembull për gjithë futbollistët anembanë botës.

Tani Miura kërkon rekordin e ri, një gol në moshën 50-vjeçare, por nuk pranon ta krahasojnë me Methjus: “Ai ka qenë një legjendë, nuk mendoj se e kam kaluar, pasi statistikat dhe karriera e tij as që krahasohet me karrierën time modeste”.

Megjithatë, ekziston një person që mund ta thyejë rekordin e Miuras: Ded Ndreca, presidenti 51-vjeçar i Mamurrasit, i cili është ende i federuar si futbollist dhe ndeshjen e fundit e ka luajtur më 16 maj 2015, duke shënuar gol ndaj Adës.

Nëse Mamurrasi do ta arrijë mbijetesën para ndeshjes së fundit të sezonit, Ndreca mund të zbresë në fushë dhe pse jo, të shënojë ndonjë faull a penallti, për t’u nisur një “SMS” gjithë mediave botërore: Miura nuk është më rekord botëror!

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image