Kavdanski, nga makthi Tirana te Liga 2 franceze: Vetëm Daja besoi tek unë

Martin Kavdanski, një emër që tek Tirana e mbajnë mend mirë, por jo për futbollin e luajtur. Mbrojtësi bullgar erdhi te Tirana në vitin 2015, me një CV shumë të pasur, mes Bullgarisë dhe Shkëndijës së Tetovës. Sa luajti? 4 ndeshje dhe në janar 2016 iku pa ndier. Nuk e paguan, e çoi çështjen në gjyq në FIFA. E fitoi çështjen, i mori paratë Tiranës, i bllokoi edhe merkaton në janar. Nëse Tirana ra nga Superiorja, ja ku e keni arsyen kryesore!

Tani Kavdanski është prezantuar te Klermont Foot, në Ligën 2 franceze, aty ku drejton një trajnere femër, Korin Diakre.  “Sport Ekspres” ka biseduar me Kavdanskin pas lajmit për transferimin në Francë…

-Martin, urime për transferimin në Francë. Një transferim befasues.

-Faleminderit, jam shumë i lumtur. Është një hap i madh përpara në karrierën time, shpresoj të më shkojë mbarë.

-Para dy vitesh firmose për Tiranën, të eci shumë ters. Si ka mundësi?

-Më ka ardhur shumë keq, realisht. Thjesht nuk m’u dha mundësia të tregoja sa vleja, kjo më ka lënduar më shumë.

-Kush ju pengoi, saktësisht?

-Nuk ka më rëndësi, dua vetëm të falënderoj nga zemra trajnerin Ilir Daja, i cili ishte i vetmi që kishte besim tek unë, por nuk ishte e thënë që të vazhdoja te Tirana.

-A e kujton ende me zemërim atë periudhë?

-Jo, nuk kam hatërmbetje ndaj askujt, realisht. E thashë që më erdhi keq sepse dëshiroja të kisha shansin ta tregoja sa vleja. Megjithatë, e dua shumë Shqipërinë.

-A do të ktheheshe?

-Kam njohur shumë njerëz e kam bërë shumë miq në Shqipëri. Sapo të kem mundësinë, do të vij me familjen time për vizitë.

-Si futbollist?

-Kam marrë drejtim tjetër në karrierën time, por nuk i dihet kurrë në jetë.

-Tani një kapitull i ri në Francë. Do të drejtohesh nga një trajnere femër.

-E vërtetë, është diçka e veçantë dhe jam kurioz, të them të drejtën. Jam informuar dhe trajnerja ka vite që po bën një punë të shkëlqyer në Klermont, të gjithë e respektojnë në Francë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *