Katrahurë në Burrel, Kamza fiton një ndeshje skandaloze

0

shtë luajtur e tensionuar ndeshja Burreli-Kamza dje në “Liri Ballabani”. Trajnerët dhe lojtarët vendas ishin betuar se do ta fitonin takimin, ndërkohë që zyrtarë të pushtetit lokal edhe dje mësohet t’u kenë kërkuar tolerime futbollistëve burrelas. Burime pranë Komisariatit të Policisë Mat bënë me dije se prej tre-katër ditësh kishin kërkuar Forca të Ndërhyrjes së Shpejtë, pasi kishte informacione për probleme gjatë zhvillimit të kësaj ndeshje. Dhe vërtetë kështu ndodhi. Tifozët matjanë nuk i pranonin provokimet e trajnerit Devolli dhe nuk e përtypën golin e dytë të Kamzës. Pas hedhjes së gurëve të vegjël në pistën e stadiumin, nuk mungonin thirrjet: “e shitët, e shitët, e shitët”. Është dashur ndërhyrja e FNSH-të që gjyqtarët e takimit dhe kamzalinjtë të dilnin nga fusha pa pësuar lëndime. Ata ndërtuan kordonë nga fusha deri më hyrjen e dhomave të zhveshjes, ndërkohë tensionet nuk kanë munguar as në tribunën VIP. Një këshilltar i bashkisë Mat, jo vetëm ka debatuar, por është përleshur fizikisht me nënkryetarin e bashkisë Kamëz. Ndërhyrja e forcave të policisë dhe personave të ndodhur në këtë tribunë evitoi përshkallëzimin e situatës. Pas ndeshjes Forcat e Ndërhyrjes së Shpejt kanë siguruar tifozët e pakët të Kamzës dhe zyrtarët e këtij klubi. Ndërkohë mes Qarrit dhe Tanushit ka patur shkëmbim fjalësh, njëri nga pista e fushës dhe tjetri nga tribuna B. Po ashtu janë larguar nga FNSH tifozët përreth stadiumit për të parandaluar çdo incident të mundshëm. Vetëm pak minuta pas përfundimit të takimit, atëherë kur trajnerët duhet të prononcohen për zhvillimin e takimit, deklaruan dorëheqjen dy trajnerët e Burrelit, Ridvan Kulli e Eduard Tanushi. Ata nuk pranuan të prononcohen për TV-të dhe mediat e shkruara, por lojtarë të stolit u shprehën se në pushimin e takimit, zyrtarë të Bashkisë Mat kanë hyrë në dhomat e zhveshjes dhe kanë kërcënuar e fyer keq lojtarët dhe trajnerët e Burrelit.

NDESHJA – Sa i takon përballjes në fushë, pjesa e parë ishte mjaft fortë, me raste nga të dyja krahët, por goli do të vinte vetëm në minutat shtesë, kur Kurbneshi do të fitonte një penallti dhe kapiteni Mëlluga do tregohej i saktë nga pika e bardhë e 11- metërshit. Në pjesën e dytë loja zhvendoset në gjysmëfushën e Burrelit, teksa Devolli çirret dhe mobilizon ekipin, ndërkohë Tanushi nuk del asnjë sekondë nga pankina, duke faktuar se ai nuk ndjehej mirë. Tifozët i luten të dalë e të mobilizojë ekipin, por kjo nuk ndodh. Malindi arriti të barazojë shifrat në minutën e 80-të, ndërsa Ymeri me golin e tij i dha fitoren Kamzës që kryeson grupin A me katër pikë më shumë se Besëlidhja e vendit të dytë. Rezultati kontestohet nga tifozët matjanë. Ata hedhin në fushë gurë dhe shishe plastike. Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë popullojnë pistën e stadiumin, sidomos pjesën perëndimore të saj.

Goditet Devolli, gjakoset Lame
Në sfidën e djeshme mes Burrelit e Kamzës janë hedhur lumë sendesh të forta, teksa në momentin e golit të fitores është goditur trajneri Bledar Devolli, ndërsa më parë, në fillim të pjesës së dytë, e ka pësuar mbrojtësi Luarts Lame, i cili është goditur me gurë në kokë në momentin e zëvendësimit. Siç duket edhe në foto, lojtari është çarë në kokë dhe ka marrë më pas ndihmën e mjekëve.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here