Katër blerjet ndryshojnë atmosferën te Vllaznia

0

Trajneri Ernest Gjoka synon ndryshimin e madh dhe gjasat janë të mëdha, pas afrimeve të bëra nga drejtuesit e klubit, sidomos për mbrojtjen 

Gaspër Marku

Edhe pse në prononcimet e fundvitit, por edhe tani në ditët e para të vitit 2018, në kampin shkodran ishin optimistë për përforcimin e skuadrës, realisht pakkush e mendonte se gjërat do të shkonin në këtë mënyrë. Katër blerjet njëra pas tjetrës janë një sinjal mjaft pozitiv për një ndryshim për mirë të situatës në kampin kuqeblu. Janë të gjithë lojtarë me përvojë dhe me cilësi, të cilët do ta ndihmojnë shumë Vllazninë.

Përforcimi i skuadrës është vlerësuar edhe nga opinioni sportiv shkodran, që si asnjëherë tjetër duket optimist se gjërat do të ndryshojnë për mirë. Natyrisht, ka edhe prej atyre që edhe nuk janë të përfshirë në këtë atmosferë, duke vijuar të qëndrojnë në pesimizmin e tyre, madje edhe me frikën e madhe se ndoshta fundi i kampionatit do t’i zhgënjejë. Megjithatë, ata që po merren me këtë punë mendojnë krejt ndryshe. Lëvizjet e bëra, duke filluar nga Sukaj dhe për të vijuar më pas me Berishën, Mersinin dhe i Malotën, mbajnë “vulën” e teknikut Ernest Gjoka. Zgjedhjet e tij duket se janë të goditura dhe me to ai kërkon të bëjë ndryshimin e madh të kuqebluve në kampionat. Prova e parë e tij serioze do të jetë përballja e 27 janarit në stadiumin “Loro Boriçi” me Kukësin, ku, nëse kuqeblutë arrijnë t’u marrin pikë të plota kampionëve në fuqi, llogaritë te Vllaznia nisin të bëhen ndryshe. Më pas Vllaznia do të ketë përsëri një ndeshje brenda me korçarët kryesues të kampionatit dhe në të tretin ballafaqim të këtij viti udhëton në Tiranë për të luajtur përballë Partizanit. Faza e dytë e sezonit pritet të shfaqet jo më si një skuadër e mbijetesës, por me pretendime për më lart, pse jo edhe në kufijtë e Kupave të Europës. Emrat e ardhur në merkato janë një garanci më shumë për t’ia arritur këto pretendime, por gjithçka do të duket me rifillimin e aktivitetit. E rëndësishme është se atmosfera tashmë është më pozitive dhe këtë pozitivitet skuadra kuqevlu duhet ta manifestojë në fushë.

FORMACIONI – E enjtja e ka gjetur skuadrën kuqeblu me një atmosferë krejt tjetër. Stërvitja ka vijuar me dy seanca në ditë, por e veçanta ishte se në dispozicion të trajnerit Ernest Gjoka ishin edhe 4 blerjet e merkatos. Kjo gjë i ka dhënë mundësi teknikut kuqeblu të nisë të mendojë për formacionin. Me të gjitha gjasat, që të katër lojtarët e afruar pritet të jenë titullarë që në sfidën e parë përballë Kukësit. Malola, Berisha dhe Mersini luajnë në mbrojtje dhe Sukaj në majë të sulmit, ndërkohë që vendet e tjera të formacionit do të jenë nga kontingjenti i mëparshëm. Trajneri Gjoka ka aplikuar edhe një minutazh loje në fundin e seancës së pasdites pikërisht për të fiksuar titullarët. Skuadra është gati e kompletuar dhe drejtuesit po mendojnë për ndeshje miqësore. Fillimisht u tha se kjo javë mund të mbyllej pa një ndeshje të tillë, por mësohet se të shtunën do të luhet ndaj Vllaznisë B. Miqësore e nevojshme në këtë moment për të bërë testimet e para rreth formës sportive që gëzojnë blerjet e reja, Sukaj, Berisha, Mersini dhe Malota.

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image