Kastrioti tregon “dhëmbët”, nis shkëputjen nga rivalët

 

 

KASTRIOTI 2

EGNATIA 1

SHËNUES: Malindi 10′, Çela 18′ / Vargu 54′

KASTRIOTI: Kuka, Hoxha, Lila, Çela, Boci, Malindi (Borshi 70′), Karakaçi (Dyca 85′), Çutra, Mziu, Marku (Caca 60′), Kabiru. Trajner: S. Nikaj.  (Në dispozicion: Spahija, Neziri, Xhaferri, Lilaj).

EGNATIA: Haremi, Vogli, Bakiasi, Rexhepi, Nako, Dosti (Gjonaj 89′), Baholli (Hasa 73′), Gjoka (Vargu 35′), Karaj, Selimaj, Mile. Trajner: V. Gjonaj (Në dispozicion: Birja, Gjyla, Doçi, Gjuzi).

KARTONË TË VERDHË: Marku 16′, Çutra 27′, Lila 28′, Hoxha 52′, Mziu 66′ / Rexhepi 44′, Bakiasi 46′, Vargi 49′, Hasa 80′

GJYQTARË: L. Mustafaraj, E. Doda, M. Shazivari, K. Barjamaj (Tiranë)

VËZHGUES: Sokol Avdo (Tiranë)

DELEGAT: Besnik Çela (Tiranë)

 

Bujar Balliu

Dy ndeshje, dy fitore dhe vendi i parë në renditje. Kastrioti është në rrugën e duhur, falë nisjes së mbarë që i ka bërë këtij sezoni. Dje, skuadra e trajnerit Samuel Nikaj ka mundur ekipin simpatik të Egnatias. Në fakt, ashtu si edhe e pati paralajmëruar gjatë javës trajneri krutan se e priste një ndeshje delikate në Krujë me rrogozhinasit ashtu ndodhi. Ndonëse Kastrioti realizoi dy gola, rrogozhinasit nuk hapën rrugë dhe pasi ngushtuan diferencën, synuan që të barazojnë. Por, Kastrioti e mbrojti me fanatizëm fitoren, madje tentoi që të shënonte edhe golin e tretë… Me këtë fitore, krutanët kanë marrë kryesimin e grupit A, ku edhe janë shkëputur dy pikë nga vendi i dytë i cili mbahet nga Besëlidhja. Sa i takon përballjes së djeshme, skuadra e Nikajt e nis mjaft mirë takimin, pasi në harkun kohor të 18 minutave arrin të shënojnë dy gola, fillimisht me Malindin, dhe më pas me Çelën, duke shtangur kundërshtarin, i cili në fraksionin e parë ka vetëm një rast shënimi, ndërsa vendasit janë dominues në çdo aspekt…

NDESHJA – Topin e parë nga mesfusha e shkelmojnë vendasit të cilët qysh në fillim rrezikojnë me Çelën, që provon kokë, por pa rezultat. Në të 8′ Malindi tenton portën me një goditje tokazi, por topi kalon ngjitur me shtyllën pingule. Dy minuta më vonë, ka një faull në favor të krutanëve e cila ekzekutohet nga Mziu, ky i fundit e harkon topin në zonë, aty ku gjendet Malindi, i cili fare pranë portës nuk e ka të vështirë të shënojë, dhe 1-0. Miqtë janë “mbyllur” në mbrojtje dhe vetëm mundohen të spastrojnë zonën. Sulmet e vazhdueshme të krutanëve “shpërblehen” me një tjetër gol. Në të 18′, ka një goditje këndi në favor të krutanëve, është sërish Mziu, i cili harkon bukur në zonë, aty gjendet Emiljano Çela, i cili me kokë tund rrjetën e Haremit, dhe i çon shifrat në 2-0. Pas pësimit të golit të dytë, rrogozhinasit e ngrenë pak tempin e lojës, falë edhe trajnerit Gjonaj, i cili herë pas here i karikon lojtarët e tij. Gjoka vazhdimisht provokon vendasit, dhe trajneri Gjonaj e zëvendëson atë me Vargun, në mënyrë që mos ketë ndonjë incident. Megjithatë, rasti i vetëm i skuadrës rrogozhinase në fraksionin e parë, ishte ai i kapitenit Mile, i cili ka një mundësi të artë, por shtylla pingule i mohon golin.

PJESA E DYTË – Fraksioni i dytë nis mirë për të dy skuadrat, por janë miqtë ata që hidhen në kërkim të golit, i cili do të vinte në minutën e 54′ nga Vargu, i cili u aktivizua në vend të Gjokës. 2-1, dhe rrogozhinasit ushtrojnë presion të vazhdueshëm, dhe pothuajse e gjithë skuadra hidhet në sulm për të gjetur golin e barazimit. Megjithatë, pavarësisht rasteve të shumta, krutanët i kryejnë me përpikmëri detyrat në repartin mbrojtës duke mos i lënë hapësira kundërshtarit. Disa minuta nga fundi, loja e Kastriotit pëson rritje, pasi në fushë futet talenti i huazuar nga Vllaznia, Denis Dyca. Edhe pse vetëm pak minuta në lojë, Dyca krijon 2-3 raste, por shifrat deri në përfundim mbeten të njëjta 2-1. Pas kësaj fitoreje, krutanët ngjiten të vetëm në krye, ndërsa javën e ardhshme përballen me dy Vllaznitë, për kupë dhe kampionat…

 

Pas ndeshjes…

  1. NIKAJ, trajneri i Kastriotit: “Duhet njëfarë kohe që ekipi të kompaktësohet, megjithatë e përgjithshmja është e mirë, jam i gëzuar për pikët dhe për vendin e parë, dhe shpresojmë që nga java në javë të marshojmë përpara duke thelluar diferencën me kundërshtarët. Sa i takon ndeshjes, duke qenë se ne jemi pretendentët kryesorë, ekipi nuk arrin me u shfaq lirshëm, pasi rëndësia e pikëve është evidente dhe ajo transmetohet edhe në lojën e ekipit. Megjithatë eksperiencën që kanë këta djem, dhe me punën që do bëjmë nga ana psikologjike, ekipi do të lirohet dhe do të shkojë aty ku pretendohet, edhe tek loja por edhe tek pikët që janë të rëndësishme”.
  2. GJONAJ, trajneri i Egnatias: “E kishim parashikuar ndeshje shumë të fortë, e tillë doli. Të them të drejtën më vjen mirë që zhvillohen ndeshje të tilla me grintë, me idenë e asaj që duhet të fitosh ndeshjen. Por, ajo që është e përgjithshmja për “Fair-Playn” e të dyja skuadrave, ishte çdo gjë në rregull. Kastrioti bëri lojën e vet dhe ne tonën. E vetmja gjë që kam, është, që federata duhet që në ndeshje të tilla të caktojë një arbitrim më serioz”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *