Kastrioti, mes rinovimeve dhe largimeve

Bujar Balliu

Drejtuesit e Kastriotit janë aktivë në organizimin e tyre për Superioren. Ata prezantuan para një jave trajnerin Elvis Plori, ndërsa më pas ka vazhduar puna me rinovimin e kontratave. Gjashtë prej titullarëve të skuadrës së sezonit të kaluar u është ofruar rinovimi dhe bëhet fjalë për portierin Klajdi Kuka, qendërmbrojtësit Vilson Lila dhe Emiliano Çela, si edhe tre mesfushorët Xhynejt Çutra, Sokol Mziu dhe Enco Malindi. Gradualisht është plotësuar stafi teknik, ku në krah të Plorit do të jenë Gëzim Rama dhe Shkëlzen Rustami, dy ish-futbollistë të njohur, ndërsa trajner portierësh është rikonfirmuar Besnik Malaj. Gjatë këtyre javëve nuk kanë munguar kontaktet me futbollistë cilësorë.

LARGIMET – Krutanët nuk kanë pasur vetëm konfirmime, pasi duke qenë se skuadra ka nisur të marrë formë, kanë filluar edhe seleksionimet. Nigeriani Samson Iliasu dhe Keniani Erik Ouma Otieno, i njohur si Marselo, nuk do të jenë më pjesë e Kastriotit. Të dy futbollistët u afruan te Kastrioti në merkaton e janarit dhe nuk gjetën shumë hapësira në Kategorinë e Parë, kështu që stafi teknik ka vendosur t’i lë të lirë lojtarët. Numri i të larguarve nga krutanët shkon kështu në katër, pasi më parë janë larguar edhe Karakaçi dhe Boci, të cilët e mbyllën kontratën me marrëveshje disa javë më parë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *