Kasijas-Murinjo, armiq të betuar: rinis dueli në distancë!

Iker Kasijas ende i kujton gjithçka i ndodhi te Reali i Madridit, kur u anashkalua nga Zhoze Murinjo dhe vendin e tij e zuri Diego Lopez. Portugezi thuhet se e “dënoi” portierin legjendar të madrilenëve për shkak të raportit të mirë që ai kishte me lojtarët e kombëtares spanjolle që ishin pjesë e Barcelonës.

Kasijas nuk i ka pëlqyer asnjëherë ai tension që Murinjo futi atë periudhë, ndërkohë që së fundmi ka folur për raportin me trajnerin aktual të Mançester Junajtid. Nëse atëherë ishte tërhequr, tani portieri spanjoll thekson se do të vepronte menjëherë nëse do përsëritej e njëjta situatë.

“Viti i tretë nuk ishte krejtësisht i mirë, edhe pse fituam kampionatin. Ishin shumë njerëz, raportet e të cilëve u tronditën. Nuk ishte mirë për të, për mua dhe për klubin. Mendoj se nëse do të ndodhte sërish, nuk do i shmangesha më përplasjes, do i lanim hesapet ballë për ballë. Në atë kohë unë vendosa të isha i qetë dhe mendova se ishte rruga e duhur për të nderuar vlerat e Realit të Madridit. Askush nuk ka dashur të flasë për Murinjon deri më sot dhe mendoj se është më mirë kështu, e shkuara duhet lënë pas”, ka thënë Kasijas në programin “Universo Valdano” në kanalin televiziv “Vamos”.

Reagimi i Murinjos nuk ka munguar, teksa për “Record” në Portugali ai është shprehur: “Kjo është një intervistë tipike për dikë që është në fund të karrierës. Sa i përket asaj që thotë për mua, kur ai thotë se kurrë nuk u përball me mua, nuk është e vërtetë. Ai u përball me mua në një mënyrë që është më e mira, fshehurazi”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *