Kartolinë e dalë shpirtit!

0

Fatmir Mëneri

Qëllonte e diel 3 shtatori i 20 viteve më parë. Si i thonë plakat, “të kam pritur me duart e mia”, bija ime. Atje, në “maternitetin” që mbante emrin kuptimplotë “Demokracia”, në një natë me të nxehtit ende gushtor, përmes një makinerie që quhej rotativë e që unë e shihja për herë të parë, u polle ti. Mbaj mend se u hapën dhe ndoca shishe spumante e u lumturuam jo alkoolisht, edhe pse pati një defekt e gati mbete çyryk…

Fatmir1
Nje foto e para shume vitesh te nje prej themeluesve kryesore te gazetes “Sport Ekspres”, Fatmir Meneri

Nuk pate fëmijëri të rehatshme. Ende foshnje t’u desh të përballeshe me ca zyrtarë që drejtonin këtë shtet e kërkonin të gllabëronin futbollin. Ti vure gjoksin e njomë për të mbrojtur topin e rrumbullaktë, pse jo, dhe sportin në tërësi. T’u desh të përballeshe edhe me ndonjë të racës tënde, shumë më të hershme në këtë dynja, që për hir të xhelozisë nuk përtoi të të vërë epitete nga më të shëmtuarat. Por, të bëri mirë e gjithë kjo. Sepse, kur “dole pelenash”, ishe nga ato vajzat që, ndonëse të brishta, të imponoheshin me personalitetin e vet. Me një profesionalizëm që ngjiste shkallët bindshëm, kishe vetëm një busull: të vërtetën! Ajo t’u kthye në korracën më të sigurtë, që të ruajti nga mëkatarët që përpiqeshin të të stërkëmbnonin përditshëm e ethshëm.

Edhe më tej, sërish në “luftë” me qeveritë. Gjithnjë në mbrojtje të sferës së lëkurtë dhe misionit të saj bujar. Veçse duhej t’i rezistoje edhe ndonjë miklimi, për shkak se kishe nisur të rriteshe: në piacë ecje kryelartë e sunduese për simotrat përreth teje, ndërsa kish nisur të ravijëzohej një fytyrë harfebukur e një gjoks i gufosur.

Pasuan dallgë të reja gjithanshëm, të zëshme e nëntokësore. E kishte tashmë të vështirë të mbijetoje në një treg ku – pa mohuar e madje duke respektuar punën e të tjerëve – bërrylat e forcës u bënë njësh me helmin e dinakërive.

Bash në atë moment u ndava prej teje. E justifikova largimin me atë se ishe rritur, mund të ecje vetë e nuk kishe më nevojë të të shoqëronte kush në bulevardin gungaç të këtij kodosh tregu. Por, në të vërtetë, ika ngaqë nuk mundja dot më t’i bëja ballë trysnisë në rritje. M’u duk se të lashë vetëm, ndaj kam pengun e braktisjes. E megjithatë, jam krenar për ty bija ime. Mbijetove! Edhe pse e mpakur, edhe pse forcërisht e panatyrshmërisht ka filluar të të duket ndonjë rrudhë, ti mbete e virgjër!

Pasi rrëfeva shkurt një histori vajzërore, besoj më lind e drejta të të drejtohem ty lexues. Jo duke t’u lutur: Blije çdo ditë një “Sport Ekspres”! Kushton kaq lirë sa mjafton që kamerierit – bashkë me kuponin tatimor, natyrisht – t’ia kërkosh kafenë… të shkurtër! Blije që vajza të vijojë të rritet e shëndetshme, e ndershme dhe e virtytshme, siç ka qenë gjithëjetshëm e për të mos u kthyer në një prostitutë kaq të ndeshshme në ditët e sotme!

 

Edhe 100 bijë!

 

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here