Karta “Mendesh”, plani B i Juventusit për Milinkovic-Saviç

Sergej Milinkoviç-Saviç është një nga lojtarët më të kërkuar, por për serbin Lacio kërkon një shifër të “çmendur” dhe deri më tani asnjë klub nuk i është përgjigjur kërkesave të presidentit Klaudio Lotito. Është folur për shifra që shkojnë në 150 milionë euro, por Juventusi, që e synon mesfushorin, nuk ka ndërmend të paguajë aq.

Bardhezinjtë mund të ofrojnë deri në 100 milionë euro dhe kjo ndodh me shitjen e Miralem Pjaniç, për të cilin po këmbëngul Mançester Siti, por edhe Barcelona. Sigurimi i shumës do të bënte që Juventusi të hidhej në sulm, por gjithçka do të varet edhe nga ajo që do të ofrojnë Real Madrid, PSG dhe Mançester Junajtid për Milinkoviç-Saviç.

“Tuttosport” sjell një prapaskenë të fundit, por saktëson se pista për transferimin e serbit është e zbehtë. Sipas gazetës italiane, menaxheri i famshëm Zhorzh Mendesh mund të luajë një rol të rëndësishëm në transferimin e mesfushorit të Lacios.

Së fundmi ai solli Kristiano Ronaldon në Torino dhe mund të shfrytëzojë marrëdhënien e mirë që ka me familjen e Milinkoviç-Saviç dhe me klubin e Lacios. Përfshirja e Mendesh, i cili nuk është menaxheri i lojtarit, mund të bëjë që palët të bisedojnë shtruar për transferimin e mesfushorit të shumëkërkuar. Gjithsesi me Lotiton nuk është e lehtë të bësh biznes dhe këtë e ka treguar edhe në të shkuarën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *