Karriera e çuditshme e Manajt/ 8 ekipe dhe 22 vjeç, në Spanjë habiten: Te Albacete në stol, tani me Messin

Rei Manaj ka marrë telefonatën më të bukur të jetës, ndoshta atë që nuk e mendonte as në ëndrrën më të çmendur, për t’iu bashkangjitur Barcelonës. Shpeshherë kërkohet fati për të arritur sa më lartë, por këtij futbollisti nuk i ka munguar kurrë.

Të debutosh me Interin në moshën 18-vjeçare, nuk është pak, sidomos kur flasim për lojtarët shqiptarë që rrallëherë kanë luajtur me ekipe të këtij niveli. Mancini do t’i besonte këtij sulmuesi pasi shkëlqente tek të rinjtë, duke shënuar dhe duke i bindur të gjithë.

Por hapësirat te zikaltrit do të ishin të pakëta dhe Manaj nisi serinë e huazimeve edhe brenda Italisë, për të shkuar nga Peskara te Piza. Asnjëherë nuk arriti të ambientohej në këto ekipe, prandaj kishte ardhur momenti që të provohej një eksperiencë jashtë vendit ku ishte formuar si futbollist.

Pikërisht në Spanjë, por edhe në aventurën e parë do të dështonte te Granada, duke u quajtur si dështim. Albacete do ta merrte në gjirin e saj dhe atje Manaj do të bënte më mirë, por grindja e nisur së fundmi me trajnerin e ekipit, bëri që të lihej në stol duke i dhënë një “mësim të mirë”. Disi e çuditshme duket, por deri tani ky futbollist ka ndërruar plot 8 skuadra, megjithëse është vetëm 22-vjeç.

Kjo mbërritje te ekipi i parë i Barcelonës ka shumë punë përgjatë kësaj kohe, por njëkohësisht edhe shumë fat. Vetëm një takim ka lozur ky lojtar te Barcelona B, atje ku shënoi edhe me një faull duke iu anulluar, por që mjaftoi për të marrë telefonatën e Setien. “Eldigitaldealbacete” ka bërë së fundmi edhe një artikull, me titullin që flet më shumë se gjithçka: “Nuk luante me Albaceten, por stërvitet me Mesin”. Padyshim që ky është momenti i Manajt, me fatin që troket te dera edhe pas dëmtimit të Suarez dhe një mori faktorësh që e dërguan në këtë pikë, por a do të jetë në gjendje që ta mirëpres? Nuk do të jetë aspak e lehtë, fanella e katalanasve peshon shumë, po aq sa presioni që vjen nga historia, stema, tifozët dhe ambienti përreth.Por në fund të fundit, shqiptarët mund të shohin një lojtar të tyre dhe që i përket kësaj Kombëtare, duke luajtur me klubin më të njohur në botë. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *