Karma/ U festonin para syve me tre gishta, ekipi shqiptar në Suedi ka hakmarrje të hidhur

Ndonjëherë futbolli rezulton shumë i hidhur me emocionet negative që të dhuron pas një humbje, por sigurisht që ndjenja e kënaqësisë së një fitore të aq shumë dëshiruar, nuk ka çmim dhe mbetet e pakrahasueshme.

Këtë përjetuan edhe lojtarët e FC Iliria Stockholm në atë fitore të pastër 1-4 ndaj Sv-Palestinska, atje ku fshihet edhe një histori e veçantë. Por përpara se të flasim për të, çfarë është FC Iliria? E drejtuar nga trajneri Salih Shala, flasim për ekipin shqiptar që është krijuar në Suedi para 4 viteve. Teksa e nisën nga divizioni më i ulët në këtë shtet, nga i 8-i, tashmë ndodhen në divizionin e 5 të Suedisë.

Pra thuajse nga 1 divizion i ngritur në vit. Teksa ndodhen në javën e 17 të kampionatit, vendi i parë është në duart e tyre dhe ka nisur shkëputja për një tjetër ngjitje. Por çfarë ka ndodhur ndaj Sv-Palestinska? Në këtë kundërshtar gjenden shumë lojtarë serb, ndërsa trajneri i tyre ishte grek.

Përpara një viti në finalen e fituar ndaj Ilirisë, do të realizonin 4 gola në 10 minutat e para. Rezultati do të mbyllej 4-1, por sikur të mos mjaftonte humbja për ekipin shqiptar, duhej t’i bënte ballë edhe fyerjeve me simbolet me 3 gishta në festën para syve apo edhe shumë sjellje të tjera jo korrekte.

Pas një viti, do të ishte FC Iliria që do e kthente me të njëjtën monedhë, madje edhe më hidhur. Fitorja do të vinte 4-1, festa e futbollistëve do të ishte me shqiponjë, pas humbjes së pësuar ekipi kundërshtar ka përfunduar në vendin e fundit dhe rrezikon rënien nga liga, ndërsa trajneri grek u shkarkua menjëherë nga detyra. Pastaj pyesin, a ekziston “Karma”… /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *