Karius kërcënohet me vdekje, policia angleze nis hetimet

Portieri i Liverpulit i humbi finalen skuadrës së tij me dy gabimet trashanike që bëri ndaj Realit

0

Loris Karius ishte njeriu i mbrëmjes në finalen e madhe të Kievit. Gjermani bëri dy gafa të mëdha që do të mbahen mend gjatë në historinë e futbollit. Fillimisht, gjermani i dhuroi topin Benzemasë brenda zonës dhe topi përfundoi në rrjetë. E sikur të mos mjaftonte ky gabim, Karius nuk arriti dot të ndalë as një gjuajtje pa shumë pretendime të Gareth Bejlit, më shumë se 30 metra larg.

Pas ndeshjes, Klop u përlot dhe iu kërkoi falje tifozëve të pranishëm në stadium, por falja e tij nuk është pranuar. Në rrjetet sociale, Karius është bërë objekt bisede dhe shumë tifozë të kuq kanë kërcënuar me jetë portierin gjerman. Njëri prej tyre e kërcënoi se do t’i vrasë vajzën, ndërsa disa të tjerë shpresojnë që t’i bie kanceri dhe të vdesë. Këto kërcënime nuk do të kalojnë pa investigimit e policisë angleze, që është vënë në lëvizje për të identifikuar personat që kanë kërcënuar portierin e Liverpulit.

Vetë Karius iu kërkoi dhe njëherë tjetër falje tifozëve të Liverpulit gjatë ditës së djeshme, me atë të një postimi në rrjetet e tij sociale, ku shkruante: “Nuk kam fjetur gjumë gjithë natën. Nuk arrij dot të heq nga mendja gabimet e bëra gjatë ndeshjes. Dua t’iu kërkoj falje shokëve të skuadrës, stafit të klubit dhe ju tifozëve. E prisha punën dhe me dy gabimet e mia iu zhgënjeva. Dua që ta kthej kohën mbrapa, por është e pamundur. Faleminderit tifozëve që udhëtuan drejt Kievit dhe na mbështetën deri në fund, duke treguar se jemi një familje e madhe!”,- shkroi Karius. Pas ndeshjes kundër Realit, e ardhmja e Karius është në dyshim dhe një largim i tij nga Liverpuli duket mëse i mundshëm.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.