Karabeci: Tani jemi grup, Laçi jo më i fortë se Flamurtari!

Erando Karabeci u shfaq i kënaqur për kualifikimin në çerekfinalet e Kupës e Shqipërisë, ndërkohë që përçoi edhe një mesazh për Laçin, kundërshtarin e radhës. “Kualifikim që vlen shumë, pasi u mor ndaj një kundërshtari mjaft cilësor. Ishte me rëndësi që ta kalonim turin. Me këto rezultate që kemi nisur vitin shpresojmë të vazhdojmë kështu. Në kampionat jemi në pozita të vështira. Na ndihmon për moralin”, tha fillimisht Karabeci për “Supersport”.

“Patëm një nisje të vështirë, edhe pse ekipi u ndërtua për objektiva të larta. Ky vit ka nisur mbarë, ndoshta jemi më të përgjegjshëm dhe kemi nisur të jemi më grup dhe të bashkëpunojmë. Duhen rezultate, sado lojëra të mira të bësh. Kemi luajtur mirë, por na munguan rezultate. Ato janë të rëndësishme, të japin moral dhe vazhdimësi”, shtoi kapiteni i Tiranës.

Fillimi i takimit ishte i vështirë, ndërkohë që edhe kartoni i kuq i Halilit pati ndikimin e vet në strategjinë e lojës së Tiranës. “Nuk ishte nënvlerësim, e dinim kundër kujt po luanim. Kartoni i kuq na i vështirësoi gjërat dhe u tërhoqëm. E kishim menduar të luanim lojën tonë, do prisnim dhe të shënonim. Do jepnim goditjen finale të ishim më të qetë. Kështu si shkoi, është mirë”, tha Karabeci.

Në çerekfinale Laçi do të jetë kundërshtari i bardhebluve: “Laçi ka eksperiencë në Kupë, por nuk besoj se do të jetë më i mirë se Flamurtari. Nëse përqendrohesh mund të kalosh çdo kundërshtar”. Në dy takimet e para në kampionat, kurbinasit e kanë mundur Tiranën. Sigurisht që në Kupë do të jetë tjetër melodi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *