Karabeci: Makthi i para dy viteve? Nuk e kthejmë kokën pas!

0

Mesfushori dhe kapiteni i Tiranës, Erando Karabeci, foli pas ndeshjes me Teutën, ku u shpall dhe lojtari më i mirë i takimit. Autori i golit të tretë tha se kjo fitore ishte shumë e rëndësishme për bardheblutë, jo vetëm për faktin që morën tri pikë të vyera, por dhe nga ana psikologjike. Në fjalën e tij për Supersport, Karabeci tha:

NDESHJA – “Normalisht, ishte një ndeshje shumë e vështirë për ne, duke pasur parasysh pozitat që ka Teuta, e cila po lufton për një vend në Europë. Ishte një ndeshje jetike për ne, pasi ndodhemi në pozita të vështirë. Pa përfshirë dy ndeshjet e fundit, kemi bërë një fazë të tretë shumë të mirë. Me Laçin morëm një gol në minutat e fundit dhe ajo ndeshje ndikoi nga ana psikologjike. Megjithatë, ekipi sot tregoi se kur jep maksimumin, mund të shfaqë vlera shumë të mëdha në fushën e lojës”.

MBIJETESA – “Absolutisht që nuk ka përfunduar asnjë gjë. Neve na gëzon fitorja e Skënderbeut, pasi siç e dimë të gjithë, Kastrioti dhe Gjirokastra janë rivalët tanë. Nëse ne fitojmë të gjitha ndeshjet tona, nuk kemi pse të shohim prapa. Kemi gjashtë pikë më shumë se Kastrioti, por asgjë nuk ka përfunduar. Tani shohim nga ndeshja me Kukësin”.

SITUATA – “Nuk mund të them që kemi probleme, por renditja bën që lojtarët të kenë një farë presioni, të thuash ndonjë fjalë më shumë seç duhet. Por ne jemi një grup i bashkuar, më i bashkuar se kurrë. E dimë se çfarë duhet të marrim nga ndeshjet. Kjo është e gjitha dhe ju siguroj që nuk ka probleme brenda grupit”.

KAPITENI – “Çdokush e di se çfarë do të thotë të jesh lojtar i Tiranës, e jo më kapiten. Është shumë e vështirë, por për mua është një përgjegjësi shumë e madhe. Lojtarët afrikanë nuk e kuptojnë fanellën e Tiranës dhe kjo gjë është detyra ime, që të gjithë ta kuptojnë se kjo fanellë është e rëndë! Nuk e kam bërë mirë detyrën time deri më tani, por kjo gjë do të ndryshojë”.

MBIJETESA – “Para dy vitesh, pa dashur të paragjykoj askënd, kemi pasur një ekip shumë më cilësor që kemi tani, por prapë nuk ia dolëm. Tani, jemi disa lojtarë që e kemi provuar atë makth, prandaj jemi më të ndërgjegjshëm dhe do të japim maksimumin që të mos ndodhë mo ajo që ndodhi para dy viteve”.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.