Kapiteni Vilson Lila: Kastrioti një miks perfekt, duam vetëm drejtësi

E ka provuar Superioren edhe më parë, me tre ekipe të ndryshme, por Vilson Lila nuk ka qenë me fat, sepse te Kastrioti një dekadë më parë ishte ende shumë i ri, te Kukësi nuk i besuan edhe pse ishte një ndër heronjtë e ngjitjes në Superiore, ndërsa tek Tërbuni gjithçka shkoi ters, brenda e jashtë fushe.

Tani Lila ka nisur sezonin e tretë te Kastrioti dhe më në fund e shijon Superioren ashtu si duhet, i ulur në “tryezë” si i barabartë, pa halle pagash e probleme të tjera. Si kapiten tashmë, 28-vjeçari udhëhoqi Kastriotin drejt fitores së bukur në Gjirokastër, sukses i cili nuk ishte një befasi duke parë si shkoi ndeshja dhe Lila garanton se do të pasohet nga fitore të tjera, me kusht që të luhet futboll në fushë, pa asnjë faktor të jashtëm, duke parë që edhe javën e shkuar iu mohua një penallti e qartë. Para sfidës kundër Skënderbeut, Lila flet për “Sport Ekspres” dhe synimet e skuadrës së tij për ndeshjen e së dielës, por edhe për sezonin në tërësi…

– Vilson, e mendonit realisht fitoren në Gjirokastër, duke pasur parasysh cilësinë dhe eksperiencën e kundërshtarit?

– E prisnim dhe e kishim menduar shumë të vështirë ndeshjen në Gjirokastër, por kishim shumë besim si ekip se mund të merrnim rezultat pozitiv. Ishim përgatitur gjatë gjithë kohës në mënyrë shumë intensive dhe gjatë gjithë fazës përgatitore i kishim shumë kushtuar shumë rëndësi ndeshjes së parë. Edhe Luftëtari besoj se me kalimin e minutave na e thjeshtësoi disi punën, me nervozizmin që e përfshiu, ndërsa ne fituam besim nga minuta në minutë dhe morëm një fitore të merituar.

– Sa ju tremb emri i Skënderbeut në ndeshjen e radhës, rival që duket ende shumë i fortë, edhe pse janë larguar shumë emra të njohur?

– Është kundërshtar shumë i fortë, kampion në fuqi, por nuk do ta mblivlerësojmë. Kemi besim të madh te forcat tona, vijmë nga një ndeshje shumë e mirë dhe psikologjikisht jemi shumë lart.

– Ju kënaq një pikë kundër Skënderbeut?

– Ne do të futemi në fushë për fitore, por pa kaluar në aventurë, ndaj edhe barazimi do të ishte një rezultat i kënaqshëm për ne.

– Projekti i Kastriotit, me një miks lojtarësh me eksperiencë dhe me emra shumë të rinj, mendoni se mund të ketë sukses në Superiore, sidomos pas këtij fillimi shpresëdhënës?

– Mendoj se është bërë një punë shumë e mirë, janë zgjedhur lojtarët më me eksperiencë nga sezoni i shkuar dhe javën e parë ishin 7 lojtarë nga sezoni i shkuar. Kanë ardhur lojtarë të rinj, duke përfshira disa lojtarë me moshë shumë të re, të cilët besoj se do të ambientohen shumë mirë dhe do të gërshetojmë eksperiencën me rininë. Vazhdimësia e kampionatit do ta tregojë sa mirë kemi punuar për këtë sezon.

– Sa do ndikojë fakti që nuk do luani në Krujë për ndeshjet shtëpiake dhe a prisni shumë tifozë në Fushë-Krujë?

– Fushë-Kruja është si shtëpia jonë e dytë, jemi pranë, dy qytete nga një bashki, ndaj besoj se do të kemi tifozë nga të dy qytetet. Shpresoj në një mbështetje sa më të madhe, të gjithë janë kuriozë për ekipin e ri dhe besoj se do të jetë një stadium i mbushur, shpresoj t’i gëzojmë tifozët nesër.

– Herën e fundit që keni luajtur në Superiore, ishte një sezon i zi me Tërbunin. A besoni se Kastrioti i ka mundësitë të zhvillojë një sezon serioz, në fushë e në aspektin financiar? 

– Sezoni te Tërbuni ishte shumë i vështirë, duke ditur problemet e presidencës. Ekipi mbeti vetëm, lojtarët nuk paguheshin dhe prisnin të largoheshin, ndërsa tani te Kastrioti është gjithçka ndryshe. Klubi është serioz, jemi të konsoliduar në çdo drejtim dhe projekti është serioz, ndaj besoj se do t’ia dalim mbanë me sukses të arrijmë synimin madhor, që është qëndrimi në Superiore.

– Shpesh ekipet e sapongjitura ankohen dhe javën e shkuar nuk morët një penallti neto në Gjirokastër. A keni frikë nga gjykimet dhe prapaskenat e futbollit shqiptar?

– E vërtetë, kjo është shumë e rëndësishme dhe bëjmë thirrje që Federata dhe arbitrat ta shohin Kastriotin njësoj si ekipet e tjera. Nuk duam të nëpërkëmbemi dhe duam thjesht drejtësi dhe pastaj verdikti të jetë i merituari. Besoj se në fund të sezonit, nëse do të kemi edhe gjykime korrekte, do të qëndrojmë në Superiore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *