Kapiteni hero, Romanjoli: Tani dimë të vuajmë, ky Milan ka vetëm titullarë!

Milani po rritet, po beson deri në fund dhe po merr rezultatet e duhura. Tre fitore rresht brenda një jave dhe vendi i katërt në renditje bashkë me Lacion. Heroi i ekipit të Gatuzos është Alesio Romanjoli, i cili shënoi kundër Udinezes golin e dytë rresht. Kapiteni shënoi në mesjavë përballë Xhenoas në minutën e parë shtesë një gol shumë të bukur, duke i dhënë tre pikë shumë të rëndësishme kuqezinjve, ndërsa mbrëmë e përsëriti një gjë të tillë dhe kundër Udinezes.

Një ndeshje e komplikuar për Milanin, që vuan përballë intensitetit dhe presingut të bardhezinjve dhe humbet disa raste të pastra. Dëmtimi i Higuain prish planet, por kapiteni vendos dhe njëherë ta marrë ekipin e “Djallit” përdore. Goli i shënuar në frymën e fundit në minutën e 96, pas disa pasimeve në zonë, që dukej sikur po zgjasnin deri në pafundësi, por e majta potente e kapitenit dërgon topin në rrjetë, tifozët kuqezinj në ekstazë dhe Milanin në vendin e katërt.

FITORJA – “Goli im vlen Champions-in? Është herët për ta thënë një gjë të tillë, por tani jemi më të këqinj. Më parë vuanim më shumë në këto lloj ndeshjesh, siç ndodhi me Kaljarin, Atalantën dhe Empolin, ndërsa tani po tregohemi më kompaktë në lojë, më të vendosur dhe i meritojmë këto fitore.”

EKIPI – “Këtu nuk ka rezerva dhe jemi të gjithë titullarë. Të gjithë luajmë për këtë klub të madh dhe përpiqemi të japim gjithçka për këtë bluzë.”

FORMA – “Është një moment i bukur, nuk e di nëse është më i miri që kur kam ardhur te Milani, por po e shijoj shumë. Kam shënuar dy gola të rëndësishëm, por shpresoj të kemi momente dhe më të bukura. Të enjten është ndeshja kundër Betisit, një tjetër përballje shumë e vështirë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *