Kaos te Lacio, edhe Strakosha humbet qetësinë

Roma është një qytet i vështirë për të luajtur futboll, jo më kot Fabio Kapelo ka thënë se një titull aty vlen sa 5 në Torino apo Milano. 

Presioni ndaj dy ekipeve romane është i frikshëm nga tifozët, që kalojnë shumë shpejt nga euforia në depresion, nga pretendimet për titull tek akuzat ndaj lojtarëve e drejtuesve. 

Lacio është në një moment të zi dhe barazimi i djeshëm ndaj Sampdorias ishte një tjetër rast që tifozët të sulmonin ekipin, me Milinkoviç Saviç në shënjestër. 

Edhe portieri kuqezi Thomas Strakosha nuk është i qetë në këtë situatë kaotike, sepse gjatë ndeshjes u pa në një moment që të drejtohej nga dikush dhe t’i thoshte “qepe, qepe!”.

Nuk dihet me kë e kishte portieri i talentuar, por presioni i tepruar po e shqetëson jashtë mase dhe tifozët po kalojnë çdo kufi.

Pas ndeshjes së djeshme në rrjetet sociale kritikat për Strakoshën nisnin nga pozicioni i gabuar në momentin e golit të dytë të Samp e deri tek fakti që Strakosha nuk vononte lojën në minutën e 99-të, por e çoi topin në sulm, prej nga Samp e mori dhe shënoi golin e barazimit. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *