“Kanë hallin e Juventusit, ne luftojmë për ekzistencë”! Takaj thumbon shtetin shqiptar

Futbolli është prekur ndjeshëm nga pandemia Covid-19, që përpos të prekurve dhe viktimave ka dëmtuar në mënyrë të konsiderueshme edhe financat e klubve. Federata Shqiptare e Futbollit së bashku me Sindikatët e Futbollistëve Profesionistë kanë dorëzuar një kërkesë zyrtare për qeverinë shqiptare me qëllim që kjo e fundit të përfshijë në listën e kompensimeve edhe klubet e kampionateve shiptare. Asnjë reagim nuk ka ardhur nga kryeministri Rama në lidhje me këtë çështje, ndërsa në Kosovë janë akorduar 5 milionë euro për sportin.

Mbi këtë situatë ka folur edhe presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, i cili nuk ngurron të ironizojë kreun e qeverisë së Shqipërisë, Edi Ramën. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Takaj thumbon duke thënë se shteti shqiptar e ka hallin e Juventusit, teksa edhe vetë Rama është një tifoz i klubit bardhezi, megjithëse skuadrat e vendit tonë janë duke luftuar oër ekzistencën e tyre.

“Kam lexuar njoftimin e Federatës së Futbollit të Kosovës dhe fondin prej 5 milionë eurosh që kishte dhënë qeveria aty për sportin. Edhe ne si klub e kemi bërë kërkesën për t’u kompensuar, por kemi hallin e Juventusit një herë. Të ndihmojmë Juven… Gjithë qeveria jonë është tifoze me Juventusin, ndërsa ajo kosovare është me klubet e tyre dhe fakt është se po i ndihmojnë. Normalisht që kriza dhe humbjet do jenë shumë të mëdha pas këtij bllokimi total. Këtu flitet për ekzistencën e klubeve të futbollit”, ka thënë presidenti i Skënderbeut, Takaj./Sport Ekspres/