Kamza thyen Burrelin në shtesë, por çfarë lëmshi arbitrat!

0

Kaos në Kamzë: një gol në minutën e 96-të të ndeshjes i dha fitoren 2-1 Kamzës ndaj Burrelit, por vetëm pas një rrëmuje totale shkaktuar nga arbitrat e ndeshjes.

Një kros në zonë nga Morina goditi shtyllën, u përplas te këmbët e një mbrojtësi i cili ishte brenda porte dhe më pas te një futbollist vendas, duke u rifutur në lojë.

Lojtarët e Kamzës pretenduan se topi e kishte kaluar vijën fatale, por anësori kishte ngritur flamurin për një pozicion jashtë loje.

Protesta të gjata të lojtarëve të Kamzës, ndërsa gjyqtarët e ndeshjes u konsultuan për disa minuta dhe çuditërisht, ndoshta edhe nga presioni i madh i vendasve, ndërruan mendim: goli ishte i rregullt!

Erdhi radha e Burrelit të protestonte, duke tentuar të sulmonte edhe arbitrat, por ndërhyri policia private që ruante sigurinë në stadium.

Përfundoi me shumë tension, një ndeshje që pritej e tillë, sepse edhe në dy ndeshjet e luajtura së fundi në Burrel ka pasur sherr dhe akuza pa fund, që i ka bërë këto dy klube armiq.

Burreli luante për hakmarrje dhe që në minutën e tetë shënoi me sulmuesin Onu, ndërsa Morina barazoi nga pika e bardhë në minutën e 50-të.

Presioni pa fund i Kamzës prodhoi raste, por goli erdhi pikërisht kur nuk pritej, në mënyrën më absurde të mundshme.

Me këtë fitore, Kamza shkon në kuotën e 35 pikëve, 5 mbi Besëlidhjen, që nesër pret Erzenin.

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here