Kamza sulmon: Dështoi skenari, tani po na dënojnë

Dënimi i Kamzës me 4 ndeshje pa tifozë për sezonin e ardhshëm, për shkak të problemeve të shkaktuara nga tifozët në ndeshjen kundër Laçit, nuk ka kaluar pa reagim nga Kamza. Klubi kamzali ka dalë me një deklaratë të fortë në faqen e vet në Facebook, ku sulmon hapur Federatën Shqiptare të Futbollit, që po tenton ta rrëzojë, pasi i dështoi skenari për ta zbritur në javën e fundit të Superiores. Kamza sulmon edhe Skënderbeun, duke i quajtur aktorë të gjithë në ndeshjen e djeshme kundër Vllaznisë.

Reagim

Pasi u njohëm me ndëshkimin nga Komisioni i Disiplinës ku KF Kamza nuk do të ketë të pranishëm tifozët e saj për 4 ndeshjet e sezonit 2018-2019, duhet të reagojmë për të mbrojtur dinjitetin e skuadrës sonë.

Pasi jemi luftuar gjatë të gjithë kampionatit të sapo mbyllur nga skenarë të turpshëm dhe “korbat e zinj” (arbitrat), të cilët pasi e panë të plagosur Kamzën, zbrisnin hera-herës në tokë për ta copëtuar, por nuk ia dolën, tashmë sulmi vazhdon nga e vetmja mundësi, Komisioni i Disiplinës, pasi gara mbaroj dhe Kamza, ia doli të mbijetojë.

Krahas kënaqësisë së punës sonë të palodhur, kënaqësia më e madhe ishin mesazhet e shumta të urimeve nga njerëz të ndryshëm, të cilët na uronin sepse arritëm të mposhtnim një sistem të kalbur.

Sulmet e turpshme ndaj skuadrës sonë vazhdokan edhe për sezonin e ri, si për të na treguar që në start se nuk do ta kemi aspak të lehtë luftën me “korbat e zinj” dhe me “korbin e madh”. Por ne kurrë nuk do të dorëzohemi, se ne jemi Kamza, e nuk pyesim për Korba e Pula.

Skenari i fundit nuk u doli, pasi në Teatrin e Korçës, nuk ka më aktor po futbollistë dhe drejtues. E nëse regjisë qendrore në Tiranë u kanë shpëtuar këto “filma”, UEFA nuk të fal…

U bashkuan të gjithë në Korçë dhe në vend të luanin futboll për të argëtuar tifozët e pranishëm, dhuruan një shfaqje te turpshme.

Gjithsesi, pasi nuk ia dolën në fushë , tashmë na kanë dënuar. Por nuk janë gjyqtarët apo instanca të tjera që na dënojnë për ndeshjen me Laçin, por një individ, sepse futbolli shqiptar është jo në dorë të drejtësisë, por në duart e individëve, atyre që nuk e kanë gjuhën për të folur të vërtetën, por për të shkëlqyer mëngjes për mëngjes këpucët e “Korbit të madh”.

KF KAMZA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *