Kamza pasive, disa klube duan Idrizajn

Kamza e mbylli me sukses sezonin e shkuar dhe një ndër lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës debutuese ishte Hektor Idrizaj, i cili luajti rreth 30 ndeshje sezonale dhe shpesh u sakrifikua, duke luajtur në të dy krahët e mbrojtjes e duke kaluar edhe në mesfushë.

Tani mbrojtësi anësor ka përfunduar kontratën 1-vjeçare me Kamzën dhe ende nuk ka biseduar me drejtuesit e klubit për një rinovim të mundshëm. Kjo edhe për faktin se trajneri i ri i Kamzës, italiani Pietro Vjerkovud, ende nuk ka nisur punë dhe faza përgatitore nuk është planifikuar ende.

Gjithsesi, edhe vetë Idrizaj sheh përreth dhe mund të firmosë gjetkë pa pritur bisedimet me Kamzën.

Vlonjati, i cili ka një eksperiencë të madhe në Superiore (Flamurtari, Bylis, Teuta e Skënderbeu në CV), kohët e fundit ka pasur sinjale edhe nga jashtë, më konkretisht nga kampionati maqedonas, por preferon të qëndrojë në Shqipëri, edhe për arsye familjare.

“Sport Ekspres” mëson se Partizani e Teuta kanë shfaqur interes për mbrojtësin, duke pasur edhe kontaktet e para. Të tre janë destinacione të pëlqyera nga futbollisti, i cili banon në Tiranë, por natyrisht Partizani duket i avantazhuar në zgjedhjen e tij të mundshme. Brenda javës së parë të korrikut pritet të mbyllet gjithçka, pas një bisede të mundshme edhe me drejtuesit e Kamzës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *