Kamza pa Masato Fukuin, por ka disa rikthime  

0

Japonezi humb Skënderbeun, pasi u ndëshkua me karton të verdhë. Pritet rikthimi i Arrabalit, Zguros dhe Ymerajt. Sinjale pozitive edhe nga Zefi, Raçiç e Çukoviç

Tri pikë në Kukës dhe vendi i tretë për skuadrën e Ramadan Ndreut, që tashmë ka po aq pikë sa kampionët dhe Laçi. Triumfi i fundit vlen shumë dhe tashmë objektivi i deklaruar “mbijetesë” mund të konsiderohet shumë pranë arritjes. Edhe pse me shumë mungesa, kamzalinjtë arritën të merrnin maksimumin në ndeshjen e javës së 19-të, kurse tani synojnë të marrin pikë përballë korçarëve në shtëpi, siç kanë bërë në dy ndeshjet e para. Ata janë të qetë për faktin se do ta kenë javën e plotë për ta përgatitur ndeshjen e radhës. Kamza u gëzohet rikthimeve për këtë ndeshje, por ka humbur Fukuin.

FUKUI

Japonezi i Kamzës u ndëshkua me karton të verdhë në Kukës, duke plotësuar kështu numrin katër dhe nuk mund të luajë me Skënderbeun. Mesfushori është një nga lojtarët bazë të formacionit të Ndreut, pasi është aktivizuar në 18 takime që nga minuta e parë. Megjithatë, alternativat për krahët nuk mungojnë. Me atë që skuadra tregoi në Kukës, dha besim se pavarësisht mungesave mund të ketë sukses me elementët që ka të gatshëm.

RIKTHIMET

Do të jetë i gatshëm për stafin teknik Bruno Arrabal. Braziliani e shleu pezullimin në ndeshjen me Kukësin dhe mund të jetë në fushë nga minuta e parë me Skënderbeun. Po ashtu, me skuadrën pritet të bashkohet sot edhe Vangjel Zguro, i cili ishte me leje nga klubi për të udhëtuar drejt SHBA-ve për punë dokumentacioni. Në krahun tjetër, edhe Ersil Ymeraj pritet të jetë gati pas problemeve fizike që pati para takimit me Kukësin. Mund të konsiderohet pozitive që Stefan Raçiç pati minuta në Kukës, duke e qetësuar stafin teknik se nuk ka asnjë problem. Në të njëjtën kohë, debutimi i Çukoviç rrit garancinë në mbrojtje për trajnerin Ndreu, i cili tashmë ka një tjetër alternativë në dispozicion. Alfred Zefi vijon fazën e rikuperimit dhe ndoshta do të jetë gati që këtë javë. Kamza, me sa duket, veç entuziazmit nga fitorja në Kukës, ka dhe një organikë thuajse të plotë. Edhe pse me këmbë në tokë për të siguruar mbijetesën matematikisht, askush nuk mund ta ndalë Kamzën të shpresojë për një pozicion që të çon në Kupat e Europës, nëse arrin të marrë pikë përballë korçarëve.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image