Kamza me sytë nga Teqja, Beqiri humbet Flamurtarin

Kamza ka arritur dy rezultate pozitive radhazi dhe tani shpreson që të mos dalë pa pikë edhe në takimin e radhës me Flamurtarin. Edhe pse nuk është një mision edhe aq i lehtë. Ndonëse skuadra duket se është rritur nga ana psikologjike, trajnerin Ernest Gjoka e shqetësojnë dëmtimet.

Olsi Teqja dhe Oriad Beqiri dolën të dëmtuar nga takimi i fundit me Luftëtarin, duke e detyruar stafin teknik që të bënte lëvizje të panumërta në formacion. Lajme aspak të mira nga infermieria, pasi Beqiri e ka të pamundur që të zbresë në fushë në takimin e radhës, për të mos thënë se duhet të mendojë por fazën e tretë.

Situata duket disi më premtuese për Teqen, i cili do të provojë që të rikuperohet në kohë, edhe pse do të jetë në luftë me kohën. Duket një mision i vështirë edhe për të, por duke pasur në konsideratë emergjencën që ka ekipi, nuk do të ishte çudi që të sakrifikonte dhe ta shihnim në fushë ndaj kuqezinjve. Mbetet për t’u parë se çdo të ndodhë, por Gjoka po mendon një opsion tjetër, edhe pse është një hall i madh për të mbushur një gropë aq të madhe në qendrën e mbrojtjes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *