Kamza bëhet “top”, Besëlidhja me “lumë” tifozësh me vete

0

Vladimir Prenga

Kamza po përgatitet me seriozitet për finalen e këtij sezoni me Besëlidhjen dhe kjo përballje është pranë, pasi do të luhet ditën e premte prej orës 14:00. Klubi ka bërë thirrje për mbështetje maksimale në këtë përballje, e cila vendos edhe fatet e sezonit. Ekipi që financohet nga presidenti Naim Qarri dhe mbështetet fuqishëm edhe nga ana e Bashkisë Kamzë, nën përkujdesjen e veçantë të kryetarit të saj Xhelal Mziu, ka në dorë të shpjerë në fund rrugën e nisur për ta rikthyer Kamzën në Superiore. Ecuria në dy fazat e para ka qenë mjaft e mirë, por në “Play-Off”, gjërat nuk shkuan si duhet, duke bërë që në sfidën e fundit të mos ketë diferencë mes tyre dhe Besëlidhjes së vendit të dytë. Veç faktit që skuadra e trajnerit Ramadan Ndreu luan në shtëpi, një favor për kryesuesit e grupit është fakti që edhe barazimi u vlen për t’u ngjitur në Superiore. Gjithsesi, Kamza është e vendosur që këtë ta arrijë duke fituar. Prej ditës së djeshme skuadra është grumbulluar, për t’u përqendruar në këtë mënyrë maksimalisht te ndeshja e së premtes.

SEFA & BOÇI – Kapiteni i skuadrës, Jetmir Sefa, do të jetë i gatshëm për ndeshjen me Besëlidhjen, pasi e ka kaluar dëmtimin që e la jashtë fushave të blerta që prej fundit të muajit mars. Mesfushori qendror ka nisur përgatitjet me grupin normalisht, duke konfirmuar gatishmërinë e tij për stafin teknik në ndeshjen me lezhjanët. 30-vjeçari është një nga pikat më të forta të skuadrës së tij dhe në Lezhë nuk e harrojnë golin që zhbllokoi takimin në atë fitore 1-3 të Kamzës me Besëlidhjen në fazën e parë. Veç Sefës, gati për ndeshjen me lezhjanët është edhe Alis Boçi, i cili e ka kaluar dëmtimin që e la jashtë në dy ndeshjet e fundit. Për shkodranin përballja me skuadrën e drejtuar nga Alban Bruka është e veçantë, pasi vjet ishte pjesë e atij ekipi, që vetëm në fund nuk mundi të ngjitej në Superiore.

 

Rekord tifozësh lezhjanë në Kamzë

Lezhjanët e Besëlidhjes, që nga e hëna kanë nisur javën stërvitore për llogari të super sfidës finale në Kamzë, ku do të luajnë 90 minuta vendimtare për të kapur elitën. Trajneri Alban Bruka, po aplikon një program enkas për këtë ndeshje, pasi do të luhet tërë sezoni, ku lezhjanët ende besojnë në ngjitje. Ndonëse, praktikisht shanset më të mëdha i kanë kamzalinjtë, pasi edhe barazimi i dërgon në Superligë.

TIFOZËT – Edhe tifozeria lezhjane që është shumë e madhe në numër po e përcjellë me vëmendje këtë javë stërvitore, pasi ashtu si dhe skuadra me gjithë stafin teknik e drejtuesit ende besojnë në suksesin. Ultrasit shpresojnë në përsëritjen e suksesit të ndeshjeve të kupës, ku arritën të shkonin deri në gjysmëfinale duke lënë jashtë skuadra të mëdha si: Partizanin dhe Flamurtarin. Përqendrimi dhe presioni që ndiejnë, ka bërë që të mos ketë deklarata për mediat, por besohet se kjo është e përkohshme, pasi në prag të ndeshjes do të jenë të hapur për to, pasi kjo ka ndodhur disa herë në ndeshje të tilla deçizive. Besëlidhja në historinë e sajë 87 vjeçare, shënon 25 pjesëmarrje në Superligë. Parashikohet që në transfertën kamzalie ta ndjekin një numër rekord tifozësh Besëlidhjen. Flitet se transporti do t’iu mundësohet falas ultrasve, por, kjo ende mbetet e pa konfirmuar zyrtarisht.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here