Kampionët në ankth, Salihi rrezikon Kukësin

0

Leonard Trebicka

Fitorja me Tiranën, shumë e rëndësishme për objektivin e titullit për Skënderbeun, ka lënë edhe pasoja te kampionët në fuqi. Shqetësimi kryesor i trajnerit Ilir Dala lidhet me sulmuesin Hamdi Salihi, autorin e golit të fitores ndaj bardhebluve me 11-metërsh. Shkodrani rrezikon shumë seriozisht ndeshjen e së shtunës në Kukës, për shkak dëmtimi. Ai luajti i dëmtuar ndaj bardhebluve dhe, për më tepër, mori një tjetër goditje dhe ky dëmtim mund të rezultojë fatal. Burime pranë kampit korçar bëjnë me dije se Hamdi Salihi pritet që sot të bëjë edhe rezonancën në kryeqytet, ku do të mësohet konkretisht shkalla e dëmtimit. Mund të kemi një tjetër kontraktim ose një tërheqje muskulore për sulmuesin me përvojë, i cili, nëse do të mungojë, do të jetë një humbje e madhe për Skënderbeun në finalen e “Zeqir Ymerit” këtë fundjavë. Maksimumi deri nesër do të ketë një vendim përfundimtar, nëse Salihi do të jetë në gjendje të luajë ndaj Kukësit apo jo. Golashënuesi më i mirë i Skënderbeut deri tani, me 15 gola të shënuar, është i domosdoshëm për formacionin e trajnerit Daja, jo më kot ai ka luajtur edhe me injeksion në ndonjë ndeshje të veçantë.

Para ndeshjes me Tiranën, Salihi zhvilloi vetëm një seancë stërvitore, pasi nuk ishte në gjendjen e duhur fizike. Ka mundësi që sërish shkodrani të sakrifikojë, por ditët në vazhdim do të mësohet më shumë në lidhje me aktivimin e sulmuesit, në varësi të gjendjes së tij.      

KARTONËT – Pas fitores ndaj Tiranës, stafi teknik i Skënderbeut është qetësuar disi, pasi asnjëri prej lojtarëve që rrezikonin ndeshjen në Kukës, për arsye pezullimi, nuk është ndëshkuar me karton të verdhë. Gavazaj, Vangjeli dhe Radas ishin tre titullarët me nga dy kartonë të verdhë para ndeshjes me Tiranën dhe të tre ia kanë dalë të ruajnë qetësinë në 90-minutëshin e fundit. Ky është një lajm pozitiv për trajnerin Daja. Por duhet  theksuar se pas ndeshjes janë 6 lojtarët e ngarkuar me nga dy të verdhë, pasi janë shtuar edhe Latifi, Salihi dhe Orelesi. Dy kartonë të verdhë ka edhe Sabjen Lilaj, i cili nuk luan për shkak dëmtimi. Kartonët janë një problem për Skënderbeun, por në Kukës duhet fitorja dhe askush nuk do të kursehet, pavarësisht faktit, nëse do të jetë apo jo në fushë ndaj Partizanit javën e fundit të kampionatit.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here