Kampionët e MLS-së duan Hykën!

0

“Ëndrra Amerikane!”… Për shqiptarët, lotaria që organizohet çdo vit është padiskutim “dritarja” për të kaluar Oqeanin dhe për t’u pajisur me letra në vendin më demokratik në botë. Sigurisht, ka edhe shumë mënyra të tjera, por gjithsesi do të ishin të paligjshme ose shpesh “rrugë pa krye”. Dhe, ajo ëndërr amerikane, që në të shkuarën është jetuar nga Hamdi Salihi, aktualisht po jetohet nga Shkëlzen Gashi, në të ardhmen mund të jetohet edhe nga një tjetër shqiptar. Bëhet fjalë për Jahmir Hykën, fantazistin e Lucernës dhe të kombëtares së Shqipërisë, që është në kulmin e moshës dhe pranë hapit më të rëndësishëm të karrierës. Pas 5 vjetësh në Zvicër, sigurisht, ka ardhur momenti për të “kthyer faqe” dhe nisur një kapitull të ri. Ofertat nuk mungojnë dhe ish-mesfushori i Tiranës, që ndodhet në Shqipëri me pushime, duke qenë se kampionati është ndërprerë në Zvicër (u mbyll faza e parë), është duke reflektuar.

Turqia thërret – Kontrata i skadon pas vetëm 6 muajsh dhe avantazhi i tij është që do të largohet si futbollist i lirë. Në Turqi janë disa skuadra që po e ndjekin dhe kanë marrë informacion, nga Antaliaspor i Samuel Eto’osë te ekipe si Trabzonspor, Bursaspor, apo edhe Koniaspor i Alban Mehës. Megjithatë, futbollisti nuk është edhe aq i bindur. Shkak janë bërë tensionet e fundit dhe sulmet terroriste.

“Ari” i MLS-së – Por, lajmi i bujshëm i ditës, vjen pikërisht nga Amerika. Futbollisti, i kontaktuar nga gazeta, nuk ka dashur të prononcohet më së shumti, edhe pse ka pranuar se “Amerika do të ishte një eksperiencë fantastike. Edhe pse është një vend përtej Oqeanit dhe shumë larg, megjithatë, do të ishte një kampionat ku do të preferoja të luaja”. Përpara dy javësh, “Sport Ekspres” do të publikonte lajmin e interesimit të disa skuadrave të MLS-së, pra kampionatit amerikan të futbollit, për fantazistin e Lucernës, ndërsa tashmë konfirmohet edhe emri i një klubi. Bëhet fjalë për Siatëll Sounders, skuadër që është regjistruar në kampionatin e MLS-së në vitin 2009, ndërsa në përbërjen e saj ka edhe dy futbollistë të njohur si ai i kombëtares së Paraguajit, Nelson Valdez, por edhe Klint Dempsi i SHBA-së. Për ata që ende nuk e njohin, janë kampionët në fuqi, pasi në finalen e play-off mundën Toronton e Sebastian Xhovinkos me penallti. Për Siatëll ishte titulli i parë në histori. Burime të sigurta pranë gazetës bëjnë me dije edhe ofertën: 600 mijë euro në sezon për 28-vjeçarin, që tashmë është duke e marrë në konsideratë, edhe pse largësia është ajo që për momentin ka krijuar barrierën.

Anton Cicani

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.