Kampionati, si “Catch me if you can”

0

Gjergji Stefa

Zakonisht, në këtë pikë të kampionatit shqiptar, letra dhe lapsi ziheshin kush të fitonte, ndërkohë që fusha dhe sidomos topi pushonin me verdikte në mos të parathëna, të parashikuara. Këtë vit është ndryshe. Titulli, Europa dhe mbijetesa janë ende të hapura, 72 orë përpara mbylljes, dhe për fatin e mirë të garës, kombinimet e mundshme nuk favorizojnë lapsin, por topin. Me rezerva duhet thënë, sepse në këtë vend asnjëherë nuk i dihet, por ajo që dihet është që të paktën sot do ketë luftë sportive gjithandej. Ky është lajm i mirë dhe në javën, ku futbolli mori vetëm lajme të këqija – kujto video-incizimin mes menaxherit Çaushi dhe lojtarit Vila – të gjithë kanë nevojë të shohin futboll pa incizime.

Tani shumica e skuadrave duhet të fitojnë në fushë, për t’u nderuar ose për të mos u turpëruar. Njësoj si filmi i Leonardo Di Kaprios, “Catch me if you can”. Detektivi që e hetoi prej vitesh falsifikuesin dhe mashtruesin më të madh të gjithë kohërave një ditë e zuri mat dhe duke e shoqëruar për në polici i bëri pyetjen e jetës. “Të gjitha i kam kuptuar se çfarë kam bërë. Kam hetuar për gjithçka dhe kam arritur ta zbuloj, por një gjë nuk e kuptova asnjëherë. Si e more brenda javës diplomën e mjekësisë? Nuk gjej dot asnjë fakt në lidhje me atë diplomë”. Di Kaprio e pa në sy dhe i tha: “Atë javë mësova dhe fitova diplomën”.

Ka ardhur një moment i tillë dhe në kampionatin tonë. Nëse do të fitosh titullin, duhet të fitosh në fushë, nëse do të shpëtosh, askush nuk të bën dot asnjë nder. Meqenëse një video doli, askush madje nuk do guxojë dhe të tentojë të zgjidhë diçka jashtë fushe.

Ky është një fund sezoni mes ajrit dhe tokës – dhe jo vetëm për helikopterin titull, që shpresojmë të ngelë në ajër deri në javën e fundit – ky është një kampionat, që mund të të çojë në Europë ose të të komplikojë jetën. Presidenti Hasanbelliu i Teutës ka lëshuar batutën më të këndshme të këtyre javëve: “Zgjohem shpesh natën dhe nuk e kuptoj ç’po ndodh. Herë shoh një ëndërr, që jam në Europë e herë një tjetër që bie nga kategoria”. 72 orë para fundit, ky kampionat është si ai provimi, ku ke vetëm një opsion: të mësosh dhe të fitosh!

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image