Kampionati në Kosovë kthehet si Superiorja, edhe Mezani merr kreun e renditjes

Ditën e sotme ka përfunduar edhe java e 10-të e IPKO Superligës në Kosovë, ku tabela e renditjes ka marrë pamjen e asaj të Superiores. Të dy kampionatet gjenden në të njëjtën situatë, ku ekipet janë të ngjeshura me njëra-tjetrën si në luftën për titull ashtu edhe në atë për mbijetesë.

Kreun në Kosovë e ka marrë qyteti i Gjilanit, pasi të dy ekipet e tij, Drita dhe Gjilani i Mezanit ndajnë vendin e parë me 21 pikë të grumbulluara në 10 ndeshjet e para të kampionatit. Fill pas tyre vijnë me një pikë më pak skuadrat e Llapit dhe të Ballkanit, madje këta të fundit nuk arritën të merrnin 3 pikët ditën e sotme, duke humbur edhe kështu rastin për të marrë drejtimin e kampionatit.

Pikërisht kjo diferencë e vogël pikësh mes vendeve të para të sjell ndërmend edhe Superioren, ku situata gjendet pak a shumë e njëjtë, ekipe që ndajnë një pozicion së bashku dhe që luhaten me shumë pak pikë nga ndjekësit e tyre në tabelën e renditjes./Sport Ekspres/