Kampionati i gjyqtarëve

0

Gjergji Stefa

Nëse do të bënim një renditje të gjyqtarëve të FIFA-s, Enea Jorgji mund të ishte i pari, Lorenc Jemini i dyti, ndërsa Andi Koçi i treti. Sigurisht që edhe ata luajnë një kampionat më vete, njësoj si Partizani, Kukësi dhe Skënderbeu. Nëse më pas do fillonim të kombinonim skuadrat me gjyqtarët, do ishte një “lëmsh” i vërtetë, pavarësisht akuzave direkte, që kanë bërë të tre klubet kryesore ndaj të treve. Jorgji shpesh shfaqet “non grata”, por më pas lakmohet gjithnjë, Jeminin e kontestojnë të dyja palët dhe në fund e zgjedhin me konsensus, ndërsa Koçi shfaqet si një arbitër i stilit anglez, por në fund merr si shpërblim ndonjë kërcënim për denoncim. Ka një pikë, që i bashkon të tre klubet dhe të tre gjyqtarët: kontestimet. Partizani e konsideroi Jorgjin “non grata” një moment të kampionatit, Skënderbeu e quajti Jeminin të korruptuar, ndërsa Kukësi e cilësoi veprimin e Koçit të denjë për një vepër penale. Nëse më pas kërkon të kuptosh se kush ka të drejtë dhe kush jo, fillon e ngatërrohesh disi, sepse Partizani shpesh e ka lavdëruar Jorgjin, Kukësi Jeminin dhe e ka kërkuar gjithnjë në ndeshje të rëndësishme, Skënderbeu ka lëshuar komplimente për Koçin. Kur luajnë veç e veç, gjërat janë më të thjeshta, por kur luajnë me njëri-tjetrin, rebusi fillon e bëhet i vështirë.
Në fund humbasin të gjithë, klubet dhe gjyqtarët. Që të fillojnë të fitojnë nga pak, duhet gjetur sërish një e mesme. Një lloj “vetingu” për gjyqtarët, patjetër, qoftë dhe në koston e cilësisë. Treshja e FIFA-s është eksperte, sidomos jashtë Shqipërisë, por sa herë këtu brenda ka ndeshje delikate, kushedi pse shfaqen gabime, që i bëjnë klubet të mos jenë të matura dhe ta thonë fjalën e fundit të parën. Klubet, nga ana tjetër, duhet të qetësojnë veten dhe ambientin. Nëse akuzon në publik dhe më pas e lë me aq, s’ke bërë asgjë tjetër, veçse ke shtuar numrin e atyre, të cilët nuk kanë arsye të vijnë në stadium. Sa më pak akuza, aq më mirë është. Nëse fokusohesh te gjyqtari, rrezikon gjithashtu të justifikosh edhe skuadrën tënde. I bind lojtarët se janë të pafajshëm, ndërkohë që një ndeshje futbolli zgjat më shumë se një vendim arbitrar.
Se sa e gjitha kjo zgjidhet me Ligë apo pa Ligë, me “veting” apo pa “veting”, me gjyqtarë të rinj apo të vjetër, e dinë vetë ata. Ta zgjidhin si të duan, veç të mos dalin më në ekran dhe të akuzojnë në rastin më të parë. Futbolli nuk duhet ta imitojë politikën.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here