Kalvari i një futbollisti / Nga Kuçova në Greqi, për futboll ose ç’të dalë

Sulmuesi i ri i Naftëtarit, Redon Behari, është nisur drejt Greqisë për të kryer një test në një prej skuadrave helene që është pjesëmarrëse në kategoritë e ulta të futbollit në këtë vend. Para nisjes për në shtetin helen, sulmuesi me perspektivë i skuadrës kuçovare ka deklaruar për Sport Ekspres se do të tentojë të kalojë me sukses një test që i është ofruar së fundi nga një menaxher shqiptar me banim në Athinë.

Sipas sulmuesit kryesor të Naftëtarit, edhe në rast se nuk do të rezultojë pozitiv ky testim, ai do të mundohet që të shfrytëzojë dokumentacionin që ka në shtetin helen, që të punojë gjithë këtë periudhë deri në stinën e vjeshtës, me qëllim që nëse nga skuadra e Naftëtarit do ta ftonin të kthehej në Kuçovë, ai me shumë kënaqësi do të pranonte dhe do të kontribonte sërish për skuadrën kuçovare në Kategorinë e Dytë, aty ku dy sezone më parë do të ishte edhe shënuesi më i mirë në Grupin e Jugut me 24 gola.

BEHARI – “Aktualisht më është dhënë një mundësi mjaft e mirë për t’u testuar në një skuadër të kategorisë së dytë në Greqi dhe me ndihmën e një menaxheri të njohur shqiptar do të provoj aftësitë e mia që të bëj të mundur kalimin e provës, dhe pse jo të më hapet rruga për një të ardhme në futbollin grek. Edhe në rast se nuk do t’ia dal, besoj se si një futbollist dhe njeri në nevojë, nuk e kam aspak për turp që të punoj për një periudhë të shkurtër, sepse jemi nevojtar dhe dua që të ndihmoj familjen, pasi jemi pa rrogë këtë periudhë tek skuadra e vendlindjes. Unë fare mirë mund të kisha zhvilluar testin edhe tek skuadra e Tomorit, por besoj shumë se testi në Greqi është shumë i rëndësishëm, dhe po qe se deri në vjeshtë nga Naftëtari do të insistojnë për një rikthim, as që nuk diskutohet se do të kontriboj maksimalisht në Kategorinë e Dytë, si dy vite më parë, kur jam shpallur golashënuesi më i mirë po me Naftëtarin”, ka mbyllur sulmuesi kuçovar Redon Behari, i cili në këtë prononcim, ka zbuluar edhe anën e errët të futbollit shqiptar në kategoritë e ulëta, për të cilën pak flasin futbollistët shqiptar në intervistat e tyre, ndërsa sulmuesi 23-vjeçar nuk e ka fshehur aspak faktin se për nevoja familjare edhe do të punojë për t’u shërbyer interesave të familjes.

Edi Spahiu

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *