“Kafen nuk e pi vetëm me Halilin”/ Daja ka një kritikë edhe për Shehin: Unë atëherë veproja ndryshe

Skënderbeu do të përballet në javën e 13 të Superiores kundër Tiranës, në një takim delikat, pasi bardheblutë kërkojnë pikët maksimale dhe të vazhdojnë garën e titullit. Ndërkohë në prononcimin para takimit, trajneri Ilir Daja ka komentuar edhe takimet me presidentin Refik Halili, që mund të krijonin një përshtypje për një marrëveshje të re të mundshme.

Por vetë Daja i ka shuar këto zëra, duke u shprehur se takohet me të gjithë presidentët e Superiores dhe kjo nuk duhet të merret shumë në konsideratë për të aluduar më tepër. Gjithashtu sipas asaj që raporton “Supersport”, një kritikë vjen edhe për Orges Shehin, që sygjeroi se Pëllumbi duhet të luajë në qendër dhe jo në krahë, por duke harruar problemet në organikën e korçarëve.

“Sigurisht ka pasur arsye për oshilacionet. Dëmtimet kanë qenë një arsye që do e veçoja. Asnjëherë nuk kemi përdorur një formacion, s’e kemi pasur të gjithë grupin e plotë. Shpresoj që me rikthimin e lojtarëve të mos kemi më luhatje. Normalisht do ketë, por shpresoj të mos jenë në të njëjtën shkallë si deri më tani.

Një pikë do më kënaqtë nëse ekipi do shprehej si me Kukësin. Në atë ndeshje bëmë një lojë të mirë. Nuk ishim të zemëruar se nuk fituam. Një lojë e tillë të jep shpresa për vazhdimësinë. Do isha i kënaqur me një pikë nëse luajmë mirë. Në të kundërt nuk na bën punë, nëse nuk shprehemi mirë në fushën e lojës.

Tani kemi 3-4 lojtarë nga mosha 18-20 vjeç që mund të jenë pjesë e formacionet. Skënderbeu është mësuar në elitë dhe në këtë moment nuk e kemi potencialin e duhur, nëse nuk sforcohemi të gjithë bashkë, nëse ata me eksperiencë nuk japin kontributin maksimal që lojtarët e rinj ta kenë më të lehtë të shprehen. Kjo na shqetëson, por me frymën që ekziston brenda grupit jam optimist se gjërat do të shkojnë mire.

Nuk kam pasur takim me Halilin. Të gjithë presidentët i takoj, pasi ky është një vlerësim për punën që kam bërë. Me të gjithë presidentët e Superiores mund të pi kafe. Nuk kam pasur një takim për probleme sportive. Thjesht takim për një kafe. Jo vetëm me Halilin, por takohem edhe me të tjerët.

Kur Shehi kishte drejtimin e Skënderbeut, me një potencial shumë më të madh se ky që kam unë, unë i kam shmangur deklaratat për ekipin e tij, me shumë korrektësi. Më mirë se Shehi, jemi ne me stafin që vendosim ku Pëllumbi mund të japë më të mirën. Qendërmbrojtësi mund të jetë pozicion më i mirë për të, por me organikën që kemi në dispozicion ai mund të sakrifikojë edhe në krahun e majtë të mbrojtjes”, ka thënë Daja. /Sport Ekspres/