Kaçe, mesazh presidentit të PAOK-ut: Me ty deri në fund!

Në Greqi mbetet çështje dite ngjarja e sfidës PAOK-AEK, që u ndërpre në minutën e fundit, pas golit anuluar PAOK-ut, që prodhoi kaos dhe bëri që të futej në fushë edhe presidenti i PAOK-it, Ivan Savidis, i cili në brez mbante një pistoletë.

Tashmë PAOK rrezikon të dënohet rëndë, ndërsa në Greqi nuk ka fund debati mes atyre që kërkojnë dënimin e klubit nga Selaniku dhe atyre që akuzojnë sistemin, duke e konsideruar PAOK-un një viktimë, me Federatën Greke që kërkon të komandojë titullin.

Në debat është përfshirë edhe Ergys Kaçe, por jo për të dhënë mendimin e tij në lidhje me PAOK-un, klub të cilit i përket. Mesfushori, i cili aktivizohet te Panathinaikosi në huazim, i ka shprehur mbështetjen e tij presidentit Savidis: “Shumë vite më parë, në momentin më të vështirë në karrierën time, m’u gjende pranë dhe më ndihmove, si të ishe babai im! Për këtë arsye, në këto momente të vështira jemi të gjithë pranë teje! Ergys Kaçe”.

Komente pa fund në Instagram, pas këtij postimi, ndaj Kaçe ka vijuar, duke sqaruar se Savidis e ka mbështetur shumë kur Kaçe doli në fotografi me një fanellë të UÇK-së dhe në Greqi e sulmuan ashpër: “Në këtë jetë kam mësuar të vlerësoj nja dy gjëra. Ky njeri më mbështeti në momentin kur më sulmuan shumë njerëz. Nuk them se veproi mirë që u fut në fushë, të gjithë bëjmë gabime, njerëz jemi. Vetëm Zoti është i pagabueshëm“.

Një sqarim edhe për komentet që e ngacmonin për kalimin te Panathinaikosi rival: “Sa për kalimin tim te Panathinaikosi, e bëra për të mirën e skuadrës, që të gjithë ta ndihmojmë në këto momente të vështira. Unë do jap shpirtin për skuadrën ku luaj aktualisht, ashtu si kam bërë gjithnjë, kudo ku kam luajtur. Kush e kupton, në rregull, kush nuk e kupton, nuk kam çfarë t’i bëj”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *