Ka stërvitur edhe Djokovic, trajneri italian preket nga gjesti i Shqipërisë: Do të stërvis tenistët tuaj

Këto kohë të vështira duket se po nxjerrin në pah edhe anën më të mirë të njerëzve, të cilët nuk ngurrojnë të ndihmojnë me aq sa kanë mundësi të tjerët. Një gjë të tillë e bëri Shqipëria pak ditë më parë, pasi dërgoi 30 mjek e infermierë në Itali për t’i dhënë një ndihmë në këtë kohë lufte me pandeminë botërore Covid-19, që po lë pas shumë viktima në vendin fqinj. Ky gjest patjetër që është përshëndetur nga të gjithë italianët dhe shumë figura të njohura kanë shprehur vlerësimet e tyre ndaj shtetit shqiptar.

Ndërkohë një veprim mirënjohjeje vjen edhe nga bota e sportit, aty ku trajneri i njohur i tenisit, Riccardo Piatti. Ky i fundit ka stërvitur emra të shquar të tenisit në botë, ndër të cilët renditet edhe numri një i botës, Novak Djokovic. Piatti është prekur nga fjalët dhe gjesti i Ramës dhe ka shprehur vullnet të plotë që të hapë dyert e akademisë së tij për të gjithë të rinjtë shqiptar që dëshirojnë të nisin një karrierë në tenis. Kështu legjenda italiane e këtij sporti është gati të kontaktojë me Federatën Shqiptare të Tenisit për të ndërtuar një marrëdhënie bashkëpunimi në mënyrë që të rinj nga vendi ynë ti bashkohen Akademisë së Tenisit Piatti. Një mundësi e artë kjo për të dashuruarit shqiptarë me tenisin, që kanë kështu shansin të stërviten nga një prej më të mirëve dhe pse jo të mos dëgjojmë në të ardhmen edhe për tenistë shqiptarë të sukseshëm në këtë sport që për hir të së vërtetës në vendin tonë nuk është zhvilluar shumë./Sport Ekspres/