K.F Shkodra, familja Piraniqi dhe rrënjet e talenteve!

0

Skuadra që ndezi emocionet e një derbi në qytetin e veriut. Nga moshat kanë dalë shumë lojtarë që kanë lënë gjurmë në futbollin shqiptar

 

 Eraldo Harlicaj

 Të thuash se Shkodra është oaz  talentesh thjesht përsërit diçka të stërthënë nga shumë gojë! Por, nëse emri i madh i Vllaznisë “snobon” emrat e ekipeve të tjerë nuk mund të thuhet se njëjta gjë edhe për K.F Shkodrën. Kjo skuadër është një shembull në vete. E themeluar në vitin 1996 kjo skuadër private ka një traditë të mirë në nxjerrjen e lojtarëve duke i bërë konkurrencë brenda qytetit edhe Vllaznisë.

Lojtari më i shtrenjtë i Shqipërisë Elseid Hysajt është shembulli konkret për të treguar punën e mirë të këtij ekipi. Elsi (siç njihej nga të gjithë në Shkodër) ka punuar dhe është transferuar nga kjo skuadër për në Itali. Armando Vajushi është një tjetër emër që bën pjesë në plejadën e gjatë të futbollistëve të dalë nga duart e trajnerit Taip Piraniqi dhe Rudi Piraniqit.

Me fat apo jo, K. F Shkodra është një emër që do të mbesë i skalitur në memorien e sportit shkodran, e padyshim të shumë brezave që kanë kaluar në duart e prf. Taip Piraniqit.

Historia – K.F Shkodra është themeluar dhe aprovuar nga Këshilli Bashkiak Shkodër më 25 shtator 1996 (mendohet se është klubi i parë privat në Shqipëri pas viteve 1990) me iniciativën e Taip Piraniqit.

Fillimisht është njohur si shoqatë, por në mars të vitit 2000 me vendim të Gjykatës së Rrethit Tiranë kalon në “Klubi i Futbollit Shkodra”.

Pjesëmarrjen e parë në kompeticionet futbollistike  K.F Shkodra e përjeton në vitin 1996-1997 kur e nis nga Kategoria e Tretë. Skuadra  e drejtuar nga Taip Piraniqi arrin të shpallet kampione duke siguruar pjesëmarrjen në Kategorinë e Dytë (sot, Kategoria e Parë).

Përbërja e ekipit ka qenë: A. Guranxi, A. Duka, E. Duka, E. Çaku, A. Alibali, E. Grezda, I. Rragami, K. Çelepia, E. Lika, B. Krymi, A. Mataj, Y. Zani.  Tr. Taip Piraniqi.

 

sporti shqiptar

 

Në Sezonin 1998-1999 merr pjesë për herë të parë në Kategorinë e Dytë (sot, Kategoria  e Parë). Skuadra i përgjigjet mjaft mirë këtij niveli dhe del në finale me Kastriotin. Ndeshja u luajt në “Qemal Stafa” dhe për fat të keq ekipi humbi me rezultatin 2-1 duke humbur mundësinë për të kaluar në Superligë.

Pas këtij sezoni ra niveli i skuadrës dhe i pretendimeve. Burimet financiare nuk ishin të mjaftueshme dhe ekipi merr pjesë edhe për 3 sezone në vazhdim dhe pastaj tërhiqet për arsye financiare.

 

Ndeshje ndërkombëtare

K.F Shkodra ka kryer edhe disa ndeshje ndërkombëtare gjatë këtyre viteve. Kryesisht në Mal të Zi. Ekipi u përball me skuadra si Deçiçi i  Tuzit, Cetinja apo Mogreni. Takimi që ka mbetur më gjatë në memorie është përballë Zetës (24.03.1997). Rezultati përfundimtar ishte 1-1. Për vendasit shënoi Ivanoviç në minutën e 37-të, ndërsa për ekipin shqiptar barazoi E. Vaso në minutën e 65-të.

Derbi me Vllazninë – Në vitin 1991 skuadra e K.F Shkodrës u riorganizua përsëri duke bërë afrime mjaft të mira në skuadër dhe duke investuar fuqishëm. Ekipi e filloi me një fazë përgatitore në Cetinjë me një kohëzgjatje 2 javore. Në sy binin lojtarë si Luan Zmijani apo Alban Noga. Ekipi mori pjesë në Kupën e Republikës ku shorti e vendosi përballë ekipit të Vllaznisë. Tifozët shkodranë po përjetonin derbin brenda qytetit. Takimi i parë përfundoi me rezultatin 0-0. Tifozët në shkallët e stadiumit brohorisnin herë për njërën skuadër e herë për tjetrën duke e kthyer takimin në një festë të madhe për qytetin. Disa nga lojtarët e ekipit ishin:  Kastriot Rama, Luan Zmijani, Alket Kruja, Edi Kraja, Valentin Gjetja, Luan Jahja, Ritvan Bishja, Alban Noga. Ndeshja e kthimit u zhvillua pas dy javësh në mes të Vllaznisë dhe K.F Shkodrës. Ekipi i parë i qyteti po kalonte një moment të vështirë dhe për këtë arsye i “rrëmbyen” disa futbollist me peshë nga skuadra e Piraniqit. Në drejtim të Vllaznisë ikën lojtarë si Alban Noga, Luan zijani dhe Alket Kruja. Kjo bëri që forca e ekipit të binte dhe ndeshja u humb me rezultatin 3-0. Pavarësisht, humbjes ky takim mbeti një kartolinë e bukur në memorien e shkodranëve dhe jo vetëm pjesëtarëve të ekipit.

1999 para ndeshjes per kupe me Vllaznine

Foto: 1999 para ndeshjes me Vllazninë

 

3 lojtarë u larguan nga K.F Shkodra në drejtim të Vllaznisë në sezonin 1999

Riorganizmi – Mbas një periudhe të gjatë ndërprerje nga kompeticionet futbollistike dhe pune intensive me ekipet e moshave. Trajneri Taip Piraniqi riorganizon ekipin e të rriturve duke mos reshtur drejt realizimit të ëndrrës së tij! Ekipi i të rriturve K.F Shkodra ringrihet me iniciativën personale të Piraniqit dhe regjistrohet në Kategorinë e Tretë. Paraqitja ishte mjaft dinjitoze dhe vetëm takimi i fundit me Partizanin B do të përcaktonte se kush do të kalonte në Kategorinë e Dytë. Sfida u shoqërua me shumë probleme dhe degradoi në sherr. Gjyqtari u godit dhe takimi u ndërpre. 3 pikët iu dhanë në tavolinë kundërshtarit. “Gjykimi ishte skandaloz dhe ne bëmë reklamimin e sfidës, por gjithashtu dënoi veprimet e futbollistëve të mi që ishin të pafalshme dhe të dënueshem”, kujton Piraniqi. Pas këtij rasti skuadra u dënua dhe u shkri.

Puna me moshat –  Puna kryesore e ekipt K.F Shkodra është e përqendruar tek moshat. Taip Piraniqi dhe djali i tij Rudi Piraniqi kanë shpenzuar shumë energji në këtë sektor duke arritur ede rezultate mjaft të mira dhe të vlefshme. Për një periudhë 15 vjeçare kjo skuadër ka dhënë një kontribut shumë të madh për qytetin e Shkodrës, por ede më gjerë. Kjo për faktin se lojtarë të dalë nga kjo shkollë futbolli sot veshin edhe fanelën e Kombëtares së Shqipërisë dhe të ekipeve të ndryshme në Shqipëri dhe jashtë vendit. Kjo skuadër ka nxjerrë shumë lojtarë, por ato që kanë dalë nga brezat e fundit janë: Hysaj, Vajushi, Marku, Guri, Kapaklija, Kabuni, Hepaj dhe shumë të tjerë që janë pranë Akademisë së Vllaznisë.

 

Trofetë me moshat

K.F Shkodra ka koleksionuar 35 trofe me moshat gjatë kësaj periudhe 15 vjeçare.

2003-2004 / U-12 dhe U-14 Kampion dhe fitues te Kupës “Kol Pogu”

2004-2005 / U-12 dhe U-14 Kampion të ligës amatore në Shkodër.

2005-2006 / U-16 Kampion Kombëtar i ligës amatore në Tirane. U-12 kampion në Shkodër.

2006-2007 / U-12 dhe U-14 Kampion.

2007-2008 / U-12 nënkampion, U-14 Kampion, U-16 nënkampion Kombëtar

2008-2009 / U-12 Kampion, U-14 Kampion

2009-2010 / U-12 kampion (Kupa Suad Durraj), U-15 Kampion.

2010-2011 / U-12 kampion, U-15 kampion, U-17 Kampion Kombëtar i Kategorisë së Parë

2011-2012 / U-15 nënkampion

2012-2013 / U-11 Kampion

2013-2014 / U-11 Kampion, U-15 Kampion, U-11 vendi 2 kupa M.Zhega , U-13 fitues i kupës M.Zhega, U-15 fitues i kupës M.Zhega.

2014-2015 Kampion

 

Ndërkombëtare

 Në mes shumë aktiviteteve ndërkombëtare me moshat dy më kryesoret janë në shtator të 2006 kur ekipi U-14 u shpall kampion Ballkanik në Nikshiq. Në shkurt të vitit 2007, skuadra U-16 u shpall fitues i turneut Ndërkombëtarë në Ulqin të Malit të Zi.

 

Kulmi

 Suksesi më i madh me moshat ka qenë fitimi i Kategorisë së Parë profesioniste në vitin 2010-2011 dhe pjesëmarrja në Superligën e kësaj grupmoshe.

 

u-17 kampion

Foto: U-17 kampion

Hysaj – Lojtari i Napolit dhe i Kombëtares së Shqipërisë Elseid Hysaj   ka dalë nga duart e prf. Piraniqit. Elsi e ka filluar stërvitjen me Shkodrën në moshën 8-vjeçare (viti 2002). Hysaj është larguar në Itali në moshën 14-vjeçare (viti 2008). Mbrojtësi është stërvitur 6 vite nën urdhrat e Piraniqit. Lojtari ka qenë një djalë i imët me kondicion shumë të mira fizike. Hysaj kishte  temperament dhe sedër të lartë sportive. Ai zhvillonte 3 – 4 seanca në javë, por dhe në ditët që kishte pushim ndiqte stërvitjet e grupit më të madh. Trajneri i jepte udhëzime shtesë dhe  shkodrani i zbatonte me përpikëri detyrat që i jepeshin. I ati i Hysajt (Gëzimi) kishte marrëdhënie shumë të mira dhe e ndihmonte herë pas herë ekipin e Shkodrës me uniforma, por edhe me topa. Në moshën 12 –vjeçare, Gëzimi ka folur me një menaxher për ta shikuar Hysajn dhe ka tentuar për ta marrë në Itali që në atë moment. Por ka qenë Piraniqi që e ka frenuar. Duke i kërkuar që Hysaj të punonte edhe për 2 vite në mënyrë individuale dhe pastaj e kanë dërguar për provë.

 

fleta e hysajt

Foto: Fleta e Hysajt  

 

Vajushi – Lojtari i Livornos e ka filluar stërvitjen pranë klubit K.F Shkodra në vitin 2001. Në moshën 10-vjeçare dhe ka vazhduar deri në vitin 2007. Ai ka qëndruar si pjesë e Shkodrës për 6 vjet dhe më pas është larguar drejt Vllaznisë. Që në fillime e tij si lojtar kishte marrëdhënie shumë të mira me topin. Vajushi ishte shumë inteligjent. Në kujtesën e Piraniqit vjen si një djalë që ka zbatuar me përpikmëri këshillat e trajnerit. Në hapat e parë të tij ishte frika nëse do të ecte përpara, pasi ishte i imët në trup dhe nuk ishte i shëndetshëm fizikisht, por Vajushi e kompensonte me shpejtësinë, inteligjencën dhe teknikën. Mesfushori u dallua në dy komepticione në Ulqin si ekip në Nikshiq ku luante përkrah Vucajt, Markut, Erkoçeviçit. Për një periudhë kohe Vajushi luajti edhe me ekipin e Ulqinit.

 

fleta e vajushit

Foto: Fleta e Vajushit

 

Gjendja aktuale – Puna në ekipin e KF Shkodrës vazhdon përsëri me të njëjtin ritëm dhe me dëshirë për të përgatitur përsëri sportist të niveleve të larta. Rasti më i fundit është lojtar i Vllaznisë Ambroz Kapaklija që është stërvitur për 6 vite me skuadrën e Piraniqit. Ndër lojtarët që dy trajnerët besojnë se do të pikasin në futboll në vitet e ardhshme janë: Kurtaj, Brahusha, Ivziku, Alivoda, Lera dhe Bracaj. Në këtë sezon klubi merr pjesë në kampionat me moshat U-11, U-13, U-15 dhe U-17. Rezultatet më të mira i kanë me ekipet U-13 dhe U-15 ku akoma nuk kanë marrë asnjë humbje

Armando Vajushi (Futbollist i Livornos)

“Unë jam rritur në klubin Shkodra. Prf. Taipi ka punuar shumë me mua dhe fjalët e tij kanë ndikuar në zhvillimin tim profesional. Më ka ndihmuar dhe më ka dashur shumë si të isha djali i tij. Mbaj mend edhe sot këshillat e tij, ndër kryesoret që mbaj mend është “Pa punë nuk arrihet asgjë edhe sikur të jesh talent”. Vitet që kam kaluar aty nuk  harroj kurrë, pasi ka qenë shumë korrekt dhe strikt në punën e tij”.

Ambroz Kapaklija (Futbollist i Vllaznisë)

“Jam stërvitur për 6 vite me prf. Piraniqin. Kam qenë pjesë e  K.F Shkodrës. Madje kam qenë edhe kapiteni i U-17 kur ekipi u ngjit në Superligë që ishte edhe kulmi i ekipit të moshave. Prf. Taipi, por edhe Rudi më kanë ndihmuar shumë për të arritur këtu ku jam sot. Në radhë të parë më kanë ndihmuar në aspektin njerëzor dhe të formimit të karakterit tim, pastaj kanë vlera të pamohueshme në rritjen time si futbollist. I jam mirënjohës dhe do të jem gjithmonë”.

Samet Hepaj (Futbollist i Besëlidhjes)

 Prf. Taipi para se të ishte trajner ka qenë një mësues për mua. Kam punuar për disa vite me të dhe akoma dhe kësaj dite i mbaj mend kritikat dhe mësimet që më ka dhënë. Ai është unik në stilin e tij të punës. Të motivon dhe të bën që të krijosh një karakter fitimtari. Më vjen mirë që këtë gjë po ja transmeton dhe brezave të rinj. Piraniqi nuk e njeh fjalë humbje dhe këtë ja kalon dhe futbollistëve të tij. E falenderoj për punën që ka bërë me mua”.

Elis Kabuni (Futbollist i Besëlidhjes)

 “Puna me profesor Taipin ka qenë një kënaqësi. Kam filluar stërvitjen që i vogël me të dhe jam rritur në ekipin e tij. Shumë gjëra që unë kam tani në sport janë pikërisht prej tij. Të gjithë që kanë kaluar në duart e tij janë me fat, pasi para se të ishte trajner a ishte një mësues për ne. Respektin më të madh për të”.

Skendo Rexha (Shef i klubit Otranto Ulqin)

“K.F Shkdora ka qenë një trampolinë e mirë edukimi jo vetëm për lojtarët e Shqipërisë, por edhe për shqiptar të Malit të Zi. Në klubin tonë kemi afruar Rudi Piraniqin që po bën një punë shumë të mirë me moshat”.

 

taip piraniqi
Taip Piraniqi, trajneri historik i KF Shkodra

 

 

Intervista/ Piraniqi: Shkodra duhet të ketë dy ekipe të rriturish!

Trajneri i K.F Shkodrës: Hysaj dhe Vajushi të veçantë.

Keqmenaxhimi dhe problemet financiare po ikojnë tek ecuria e të rinjve

Eraldo Harlicaj

Taip Piraniqi është themeluesi i K.F Shkodrës. Trajneri shkodran në palmaresin e sukseseve të tij ka kampionate dhe kupa të fituara. Por, ndër sukseset e tij më të mëdha është dalja e lojtarëve të tillë si Hysaj dhe Vajushi. Për “Sport Ekspres”, Piraniqi rrëfehet në 360 gradë.

Si lindi ideja e krijimit të një klubi privat kur suksesin dhe dështimin i ndanin fare pak?

Duke punuar prej vitesh e kam kuptuar potencialin dhe mentalitetin e Shkodrës. Mjafton të shohësh futbollistët shkodranë që luajnë në Shqipëri dhe jashtë saj. Duke u nisur me besimin se Shkodra ka shumë potencial vendosa të hap dhe ekipin e rritur, pasi mendova se qyteti ka nevojë për dy ekipe. Ky është një realitet edhe në kushtet që flasim! Pikëpyetja ishte tek ana financiare, por me besimin e një futbolldashësi mendova se do të funksionojë!

K.F Shkodra a ka shkuar aty ku ju dëshironit?

– Të jem i sinqertë nuk ka shkuar aty ku unë doja me ekipin e të rriturve. Pasi, “ëndrra” ime ishte që Shkodra të përfaqësohej me dy ekipe në elite. Një dëshirë që e kam edhe sot. Me ekipet e moshave i kam arritur të gjitha objektivat dhe i kam tejkaluar. Pasi për një ekip privat të nxjerrë lojtarë si Hysaj dhe Vajushi është shumë. Pa mbështetje nga Bashkia ja kemi dalë dhe të jeni të sigurt se emra të tjerë do të dalin.

paxhinone 10-11

 

– Si vijnë në kujtesën tuaj ndeshjet me Vllazninë?

Në vitin e tretë të krijimit ne merrnim pjesë në Kategorinë e Dytë (Sot, K. Parë) dhe kishim një ekip me lojtarë të mirë, kishim pretendime. Në Kupë shorti na përballi me Vllazninë. Një derbi në qytet. Ndeshja e parë ishte shumë e bukur  emocione shumë të mëdha publiku i jashtëzakonshëm. Gjatë pjesës së parë pati fishkëllima ndaj nesh, por pastaj niveli i lartë i lojës tonë bëri që ekipi të fitonte tifozerinë. Ndeshja e dytë ishte histori tjetër, pasi na u larguan disa lojtarë dhe humbëm.

Përveç Hysajt dhe Vajushit, kush janë lojtarët e tjerë që kanë lënë mbresa tek ju dhe mendoni se meritojnë më tepër vëmendje?

–  Nuk po flas për brezat e kaluar, por po flas për ato që janë akoma në pjacë. Sindër Guri ka cilësi shumë të mira. Tani luan me Korabin, por një menaxher i Marsejës në Francë e pëlqej dhe u përgatit gjithçka për të qenë pjesë e këtij klubi, por mbeti një lëvizje e papërfunduar jo nga ana e jonë!Ari Djepaxhija pati një ftesë për të qenë pjesë e Budoçnostit me aftësitë që kishte mund të kishte shkuar shumë lart. Griseld Tula është një tjetër emër që spikati tek ekipi ynë. Mosha e tij e re të jep shpresë që mund të arrijë përsëri të lërë gjurmë. Samet Hepaj, Ambroz Kapaklija, Elis Kabuni janë të tjerë lojtarë që kanë dalë së fundmi nga ne.

– Hysaj është lojtari më i mirë që ka dalë nga ju si vjen ai në kujtesë?

– Elsi ishte një shembull. Shumë punëtor me një sedër të lartë dhe me karakteristika mjaft të mira sportive. Po kujtoj një rast. Kishim humbur një ndeshje. Atë ditë isha pak i mërzitur dhe nuk hyra pas takimit të flas me lojtarët. Pasi ikën futbollistët shkova në dhoma të marr çantën. Në dhome gjej Hysajn vetëm kishte mbyllur derën dhe po qante ishte vërtet një emocion i jashtëzakonshëm për mua.

Po Vajushi?

–  Vajushi ishte tepër inteligjent dhe shumë teknik. Një djalë shembull. Kujtoj një bisedë me Tanin (babin). “O profesor ky është i vogël. A do të luajnë futboll?”, më pyeste. “S’ka gjë – i thosha unë – e kompenson me teknik, shpejtësi dhe zgjuarsi me topin”. Armandoja vazhdon t jetë një djalë modest dhe i thjeshtë. E takoj sa herë vij në Shqipëri. Ruaj si kujtim panelin e parë që ka luajtur jashtë vendit m Liteksin në Bullgari.

Ku i shihni vështirësitë më të mëdha të futbollit të moshave dhe sa po ndikojnë faktorët e jashtëm në zhvillimin e futbollistëve të rinj?

– Ka shumë vështirësi. Terrenet janë kryesore, por edhe problemet financiare. Kjo bën që shumë fëmijë me cilësi të mira të mos ndjekin ëndrrën e tyre. Duhet të bëjmë më shumë vepra se sa fjalë. Trajnerët duhet të jenë të kujdesshëm dhe të niveleve të larta, pasi nuk mjafton vetëm hapësira të limituara për të krijuar ekipe (nëse pretendojmë për futbollist të nivelit të lartë).

Ndjehesh i vlerësuar për punën që keni bërë deri tani?

– (Qesh) Dekoratat dhe “fletët e lavdërimit” nuk më mungojnë. Ndjehem mirë, pasi më vlerësojnë njerëzit sportdashësit shkodran!

 

Për Hysajn

Elsi ishte një shembull. Shumë punëtor me një sedër të lartë dhe me karakteristika mjaft të mira sportive. Po kujtoj një rast. Kishim humbur një ndeshje. Atë ditë isha pak i mërzitur dhe nuk hyra pas takimit të flas me lojtarët. Pasi ikën futbollistët shkova në dhoma të marr çantën. Në dhome gjej Hysajn vetëm kishte mbyllur derën dhe po qante ishte vërtet një emocion i jashtëzakonshëm për mua.

 

Për Vajushin

Vajushi ishte tepër inteligjent dhe shumë teknik. Një djalë shembull. Kujtoj një bisedë me Tanin (babin). “O profesor ky është i vogël. A do të luajnë futboll?”, më pyeste. “S’ka gjë – i thosha unë – e kompenson me teknik, shpejtësi dhe zgjuarsi me topin”.

 

logo

R.Piraniqi: Do të mbajë 

stafetën  K.F Shkodrës

Taipi është një baba me fat, pasi edhe djali i tij po ndjek gjurmët e profesionit të trajnerit. Rudi që në moshë të vogël është rritur me frymën e të atit dhe ka mbirë tek ai dashuria për futbollin. Ai tregon se si vijnë në memorien e tij vitet e krijimit të klubit. “Kam qenë 8 vjeç kur është krijuar klubi K.F Shkodra dhe natyrisht nuk arrija ta perceptoja dot se sa rëndësi kishte”. Rrugën për t’u bërë trajner, Rudi e sheh si zgjedhje natyrale dhe jo të imponuar. “Zgjedhja për t’u bërë trajner erdhi në mënyrë natyrale. Në fillim pretendoja për t’u bërë futbollist, por kur e kuptova se nuk kisha talent për këtë punë babi më ushqeu dëshirën për të trajnuar të tjerët”.  Rudi flet me pasion edhe për ecurinë e trajnimit të moshave në Shkodër. “Ne trajnerët e moshave në Shkodër kemi fat. Kjo pasi në këtë qytet ka shumë brumë dhe duhet të punojmë me shumë pasion dhe t’i japim më të mirën këtyre fëmijëve”. Rudi në fund të bisedës premton se do të arrijë që të lërë gjurmë në këtë fushë edhe faktin se po punoni trajner i Otrantos në Mal të Zi.

 

 

 

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here