“Juventusi po i lë lojtarët të ikin dhe pastaj duhet 14 ditë izolimi”, zyrtari i Lacios hap polemika për sjellje tendencioze

Në Itali sikur të mos mjaftonte gjendja e jashtëzakonshme e përhapjes dhe viktimave nga COVID-19, ka polemika të mëdha në futboll, sidomos në Seria A. Në fund të fundit mbetet brenda logjikës, jo shumë jashtë saj siç duket në pamje të parë, pasi flitet për përplasje mes biznesve të mëdha.

Lacio del edhe njëherë kundër veprimeve të bëra nga Juventusi, duke i konsideruar si tendencioze për të vonuar sa më tepër kampionatin dhe për ta dërguar deri në atë pikë sa t’i jepet titulli i parakohshëm pasi janë duke mbajtur vendin e parë.

Këtë herë është sërish zëdhënësi i Lacios, Arturo Diaconale, që teksa i jep një përgjigje presidentit të Breshias që sulmoi Lotiton teksa i sygjeronte ta merrte Skudeton e mallkuar, nuk la pa një ironi mbi Juventusin. Disa lojtarë radhazi kanë lënë Italinë nga klubi i bardhezinjve. Prej tyre arsyetim të fortë ka vetëm Higuaini, teksa mamaja e tij po lufton me kancerin.

Ndërkohë zëdhënësi i Lacios bën një llogari të qartë: “Juventusi i lë lojtarët jashtë Italisë. Kur të kthehen, duan 14 ditë në karantinë të detyruar në bazë të ligjit të shtetit. Më pas do të kenë edhe shumë ditë stërvitje për të qenë gati për kampionatin”. Pra, rreth 1 muaj do t’i duhen bardhezinjve nga dita që do t’i thërrasin lojtarët për t’u rikthyer(ende nuk ka ndodhur), ndërsa Lacio e kishte programuar tani stërvitjen për të nisur, megjithëse e shtyn sërish për një tjetër datë.

“Të gjithë duhet të kujdesen për veten e tyre, të jenë përgjegjës për atë që bën dhe atë që thonë. Ne kemi një shprehje të vjetër ku themi: “Kau i jep gomarit një brirë”. Në këto momente është më mirë të shmangësh dhënien e deklaratave se mund të krijojnë polemika”, tha zëdhënësi i Lacios, nisur gna fjalët e Presidentit të Breshias.

Ndërkohë, edhe mesazhi për Juventusin: “Stërvitja duhet të fillojë me garancinë më absolute të shëndetit të lojtarëve. Mbrojta më e mirë e shëndetit të tyre bëhet duke i lënë në shtëpi dhe duke ndjekur udhëzime për stërvitje që i vijnë në email. Ose a është më mirë në një mjedis të sanitarizuar, ku ka një mbikëqyrje maksimale mjekësore?

Unë ju jap një shembull, por jo për të bërë polemika. Është e qartë se Juventus, me një seri lojtarësh që po largohen nga Italia, kur të kthehen duhet të futen një periudhë të detyrshme karantine. Këtë situatë e gjejmë edhe në ekipe të tjera. Lacio e kishte vendosur sot që të kthehej në stërvitje, por e lamë në një tjetër datë. Në një moment sakrifikimi, duhet ta bëjmë të gjithë”. /Sport Ekspres/