Juventusi në “hall” me lojtarët e huaj, Sarri e gjen zgjidhjen te Xhakomo Vrioni

Klubet italiane kanë nisur stërvitjet individuale për të qenë gati për rifilluar sërish sezonin. Një problem i hasur deri më tani është ai i lojtarëve të huaj, të cilët pas kthimit në Itali duhet të ndjekin rregullin e karantinimit. Kjo bën që grupi të mos jetë i plotë, por te Juventusi e kanë gjetur zgjidhjen. Sarri ka kërkuar të ketë në dispozicion disa lojtarë nga ekipi U-23 i bardhezinjve, mes të cilëve është preferuar edhe sulmuesi shqiptar, Xhakomo Vrioni.

Ky i fundit ka qenë nën urdhërat e Sarrit ditën e sotme e duke parë situatën me lojtarët e huaj te “Zonja e vjetër“ si dhe vonesën në ardhje të Higuain mund të vijojë të jetë edhe për ditët në vijim. Së bashku me Vrionin kanë mbërritur në qendrën stërvitore të ekipit të parë të Juventusit edhe 6 lojtarë të tjerë nga 23-vjeçarët. Ndërkohë shijen e të stërviturit përkrahë yjeve të Juventusit futbollisti kuqezi e ka shijuar edhe më parë, teksa ka qenë pjesë e seancave të trajnimit të ekipit A edhe herë të tjera, por jo në kushte të tilla të pazakonta dhe të shkaktuara nga pandemia Covid-19./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *