Juventusi ndryshon imazh dhe bëhet shumëngjyrësh

Një ide e re për të tronditur tregun. Për të sjellë përfitime të mëdha përt arkat e klubit. Juventusi dhe kompania Adidas po projektojnë një fanellë të re: shumëngjyrëshe, për të gjithë të apasionuarit, por edhe të… futbollit virtual.

Uniforma e re e kampionëve të Italisë, hyn në kategorinë e tifozëve të video-lojës FIFA (versioni i vitit 2019 me Kristiano Ronaldon në kopertinë me fanellën bardhezi) dhe është krijuar në bashkëpunim me EA Sports, kompania që ideoi dhe prodhoi lojën. Kompleti i ri do të quhet “Adidas EA Sports Juventus 2018” dhe do të jetë uniforma e katërt e skuadrës gjatë këtij sezoni.

Përsa i takon detajeve të prodhimit, kjo do të jetë fanella më e lehtë e të gjitha kohërave për Juventusin. E bardhë, me një stampë grafike shumëngjyrëshe në të gjithë uniformën dhe logot e Adidas të zeza në gjoks dhe në krahë, ndërsa stema e klubit do të pozicionohet në qendër.

Juventusi ka bërë një tjetër lëvizje marketingu, për të përfituar edhe nga rritja e xhiros së biznesit prej afrimit të Kristiano Ronaldos. Ndryshimi që lidhet me imazhin e ri për këtë sezon, ishte paralajmëruar disa ditë më parë, pas detajeve të zbuluara rreth uniformave të edicionit të ardhshëm, ku fanella e parë do të jetë bardhezi, por pa vija, e dyta do të jetë e bardhë me të kuqe, ndërsa e treta, e gjitha blu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *