Juventusi gati për një tjetër goditje, ndihma vjen nga… Ronaldo!

Kristiano Ronaldo nuk mund të jetë lojtari i fundit i Realit të Madridit që transferohet tek ekipi i Juventusit dhe portugezi po bën maksimumin që kjo gjë të ndodhë. Flasim për Marselon, emri i të cilit është lakuar shumë si një synim i bardhezinjve.

Braziliani është një nga miqtë më të ngushtë të Ronaldos dhe të dy dëshirojnë të luajnë përsëri në të njëjtin ekip. Ata komunikojnë shpesh me njëri-tjetrin dhe “AS” raporton se ylli i Juventusit po bën të pamundurën për t’i mbushur mendjen mbrojtësit të majtë të transferohet në Torino.

Një gje e tillë nuk merrej shumë parasysh nga Marselo, por kohët e fundit ai po e mendon seriozisht këtë opsion. Situata te Reali nuk është aspak e mirë, madje 30-vjeçari ka përfunduar në stol në dy ndeshjet e fundit.

Marrëveshja nuk është aspak e thjeshtë, pasi Perez nuk dëshiron të humbasë një tjetër lojtar të rëndësishëm, aq më pak te Juventusi. Por Ronaldo e ka të qartë planin dhe dëshiron t’i mbushë mendjen ish-shokut të tij.

Nëse Marselo bindet për t’u transferuar në Serie A, atëherë Juventusi është gati të nisë negociatat me Realin dhe gjithçka do të bëhej më e thjeshtë, pasi të siguronte fjalën e lojtarit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *