Juve “thyhet” jashtë për herë të parë, Murinjo “bie” në Valencia

Juventus dhe Mançester Junajtid pësojnë nga një disfatë në ndeshjet respektive me të njëjtat shifra 2-1, ndaj Jang Bojs dhe Valencias. Bardhezinjtë, më në fund marrin humbjen e parë në transfertë këtë sezon, por gjithsesi vendi i parë në grup nuk u cënua, pasi Junajtid pati të njëjtin fat në transfertën e Valencias.

Ndeshja nisi e ekuilibruar, teksa zviceranët dukeshin mjaft kërkues dhe në minutën e 28-të arritën të shënonin golin e avantazhit me anë të një 11-metërshi të shndërruar në gol nga Horo. Të besuarit e Alegrit provuan të merrnin diçka nga pjesa e parë, por 45 minutat e para u mbyllën në avantazhin e vendasve.

Në fraksionin e dytë ishte Juventus që e shtoi presionin në zonën e Jang Bojs, por atëherë kur të gjithë mendonin një barazim të bardhezinjve, ishte përsëri i zakonshmi, Giljem Horo, i cili dyfishoi shifrat dhe i dha një goditje Juventusit në minutën e 68-të.

Në minutën e 72-të Alegri vendos të hedhë në fushë Paolo Dibalën, i cili pas tetë minutash shkurton diferencën, duke çuar shifrat në 2-1. Bardhezinjtë u përpoqën deri në fund për të marrë qoftë edhe një barazim, por zviceranët rezistuan mjaft mirë, duke marrë fitoren e parë.

Në Spanjë, Valencia arriti një triumf ndaj Mançester Junajtid, më së shumti për statistikë, pasi vendi i tretë ishte i siguruar. Ndeshja përfundoi me shifrat 2-1, ku spanjollët shënuan nga një gol për çdo pjesë, ndërsa Junajtid shënoi tre minuta përpara fundit të kohës së rregullt.

Fillimisht ishte Karlos Soler, i cili shënoi pas 17 minutash lojë, duke dërguar në avantazh të tijtë. Mançesteri u përpoq, por rastet e krijuara nuk u konkretizuan. Në fillimin e pjesës së dytë, kur kishin kaluar vetëm dy minuta, Fill Xhons shënoi në portën e tij, duke i dhuruar golin e dytë vendasve. Në fund të takimit pati lavdi për Rashford, i cili shënoi golin e nderit për “djajtë”, duke mbyllur çdo gjë në 2-1.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *