Juve-Real, për fronin e Europës dhe për historinë

Libri i historisë në Champions pritet të shkruajë emrin e radhës të fituesve në kompeticionin më prestigjioz në nivel klubesh në arenën evropiane. Deri më sot janë plot 22 emra klubesh që kanë shënuar emrin në këtë libër. Mes tyre janë dhe dy finalistët e sotëm në Kardif. Që nga krijimi i saj në vitin 1995, deri ndryshimi i emrit dhe formatit në vitin 1992, duke kaluar në Champions League, ky kompeticion është kthyer në simbolin e futbollit evropian në nivel klubesh. Është kompeticioni më emocionues. Është një kompeticion të gjithë kundër të gjithëve, ku kryqëzohet e gjithë Evropa. “Mbretërit e Evropës”, Reali i Madridit dhe “Zonja e Vjetër” Juventusi do të ndajnë mes tyre. Juventusi vjen si një “Zonjë e rëndë” në këtë finale, pasi ka fituar 6 herë radhazi titullin në Serinë A, tashmë ka objektiv madhor të dominojë kontinentin e vjetër.

Revanshi dhe tripleta – Interi është skuadra e vetme italiane që ka fituar në një sezon të vetëm tripletën, titullin në Serinë A, kupën e Italisë dhe në fund “qershinë mbi tortë”, Ligën e Kampioneve. Një arsye më shumë për Juventusin për të shënuar dhe ajo emrin në librat e historisë për një fakt të tillë. Deri më tani bardhezinjtë kanë fituar Serinë A dhe kupën e Italisë dhe sonte në mbrëmje do të kërkojnë tripletën historike. Një ëndërr shumëvjeçare që duket shumë pranë mishërimit. Por përballë do të jetë një rival aspak komod, por Reali i Madridit, kujtimi i fundit me të cilin nuk është shumë i këndshëm. Në vitin 1998 këto dy ekipe ndanin këtë trofe në Amsterdam. Në fund fitonte Reali 1-0 me një gol të shënuar nga Pedrag Mijatoviç. Një gol që është kthyer në qendër të diskutimeve në prag të finales së sotme. Dani Alvesh ka provokuar Realin, duke deklaruar se goli i malaziasit ka qenë në pozicion jashtë loje. Pak rëndësi ka, tashmë për Juventusin ka ardhur momenti i revanshit.
Reali për “doblete” – Ishte viti 1958 kur Reali fitonte për herë të fundit në historinë e vet kampionatin spanjoll dhe Ligën e Kampioneve – në formatin e vjetër të saj – në të njëjtin sezon. Që nga ajo kohë po mbushen afërsisht 60 vjet dhe Reali është aty gati të përsërisë historinë. Detyra i ka mbetur në dorë Zinedin Zidanit për të kompletuar një sezon të shkëlqyer të “los blancos”. Për më shumë akoma, Reali do të bëhej ekipi i parë në histori që do të fitonte për dy sezone radhazi Ligën e Kampioneve. Që nga ndryshimi i formatit në vitin 1992 askush nuk ka mundur ta bëjë një gjë të tillë. Kjo do të përkonte me titullin e dymbëdhjetë në Champions për madrilenët. Reali është po aq gati sa dhe Juventusi.
Rrugëtimi deri në finale – Juventusi mbërrin në këtë finale pas një rrugëtimi pa shumë pengesa. Në fazën në grupe ku bënte pjesë së bashku me Seviljen, Lionin dhe Dinamon e Zagrebit e mbylli në vendin e parë. Më pas në fazën e eliminimve të drejtpërdrejta kampionët e Italisë kaluan Porton, Barcelonën dhe Monakon, një rrugëtim i ngjashëm me atë të vitit 1998 ku në gjysmëfinale, si atëherë eliminonin Monakon. Reali nga ana e vet e mbylli në vendin e dytë në grup, pas Dortmundit dhe para Sportingut e Legias. Më pas, Reali kaloi Napolin në 1/8 e finaleve. Në çerekfinale një betejë e madhe me Bajernin e Mynihut, në një ndeshje të kthimit në “Bernabeu” e mbushur me polemika. Për të ardhur në gjysmëfinale në derbin madrilen kundër Atletikos.

145 trofe
Juventusi dhe Reali janë dy nga klubet më të titullar në Evropë. Juventusi numëron 63 tituj të ndryshëm, ndërsa Reali 82 të tillë

Formacioni i mundshëm i Juventusit (4-2-3-1)
Bufon, Barzalji, Bonuçi, Kielini, Sandro, Pjaniç, Kedira, Dani Alvesh, Manxhukiç, Dibala, Higuain

Formacioni i mundshëm i Realit (4-3-3)
Navas, Karvahal, Ramos, Varan, Marselo, Kros, Kasemiro, Modriç, Isko, Benzema, Ronaldo

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *