Juve në ankth, Dibala dëmtohet në sfidën me Brazilin

Në fushë për të bërë që tifozët të harrojnë për një moment mungesën e Lionel Mesit. Megjithatë, supersfida ndërmjet Brazilit dhe Argjentinës nuk i dhuroi kënaqësi Paulo Dibalas. Asnjë gol për sulmuesin e Juventusit, që u largua nga fusha mes kritikave të opinionistëve dhe tifozëve “albiçelestë” dhe një imazh shumë shqetësues për tifozët bardhezi.

Prezenca e Dibalas në formacion, përkrah Ikardit dhe Korreas në sulm, u kontestua nga mbështetësit argjentinas, që më pas duartrokitën zëvendësimin me zikaltërin Lautaro Martinez. Por, sikur vetëm kjo të mos mjaftonte, imazhet që erdhën nga stoli, ende pa kaluar një orë lojë, kanë shkaktuar ankth te Juventusi.

Në momentin kur po tregonin pamje nga stoli i Argjëntinës, kamerat kapën momentin kur Dibala po mbante një qese akulli në gjurin e djathtë dhe një tjetër poshtë kofshës. Ndoshta ky ishte sinjal i një dëmtimi të mundshëm për sulmuesin e kampionëve të Italisë, që në orët në vazhdim do të kthehet pranë skuadrës. Në Torino e presin me ankth, për të mësuar gjendjen e 24-vjeçarit dhe shkallën e dëmtimit të mundshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *