Juve-Bajern “zbarkon” në Tiranë

0

Ndeshja e gjigantëve kalon Adriatikun për të zbarkuar në kryeqytet. Një “klasike” evropiane pa kufij, ashtu si çmenduria e dy djemve, Eltisi dhe Kristi, tashmë përfaqësues të një … mode shqiptare

Të martën mbrëma (20:45), 90-djersëminutëshi i sfidës Juventus–Bajern do të pushtojë skenën evropiane të Ligës së Kampionëve. Në Torino nuk do të përballen 22 burra, por dy histori futbolli, në kronologjinë e beftë të të cilave kanë udhëtuar edhe miliona të tjerë ndër vite. Këta nuk kanë lindur as juventinë dhe as bavarezë, por pasioni – nga estetika e lojës dhe identifikimi me idhujt – i ka nxitur të përqafojnë një kulturë futbolli. Ky pasion rrjedh në vena edhe në Shqipëri, aty ku dy grupe tifozësh po presin me padurim përballjen. Në formën e “fan club”-eve zyrtare, në Tiranë “Juventus Club Albania” dhe “Unë jam bavarez” do të udhëheqin virtualisht (por jo vetëm) tifozeritë shqiptare të dy skuadrave rivale. Gazeta “Sport Ekspres” ka intervistuar ekskluzivisht dy nga më “të çmendurit” e kësaj gare në largësi, juventini Eltis dhe bavarezi Krist. Dy djemtë “thumbojnë” njëri-tjetrin në detaje, por njëkohësisht tregohen diplomatikë kur pyeten për rezultatin e ndeshjes. Le të zbulojmë kush janë ata dhe si po e presin sfidën e madhe.


Eltisi (“JCA”): Ftoj bavarezët të festojmë triumfin e Juves!

 Grupi “Juventus Club Albania” është krijuar fillimisht si faqe në “Facebook” më 27 janar 2010 dhe më pas u kthye në “fan club” zyrtar të Juventusit. Administratorët quhen Ardiani, Eltoni, Eltisi, Ismaili, Klevesi dhe Armando. Ata aktualisht administrojnë faqen më të madhe dhe më aktive në vend, ku diskutohet gjithçka për bardhezinjtë. Grupi ka mbi 300 anëtarë dhe në qershor do të vijojnë fushatat për anëtarësime të reja (në Kosovë, Maqedoni, Itali, etj.). Gazeta ka bërë intervistë me njërin nga administratorët, Eltisin, i cili – mes të tjerash – surprizon me vlerësimet për yjet e Bajernit.

– Pas 25 javësh, jeni sërish të parët në Itali. Urime! A është ky kampionati më i çmendur i Juventusit në 5 sezonet e fundit?
– Po, është, por më i çmenduri që kam parë unë mbetet kampionati i 2002-shit. Vërtet sivjet ishim të 12-tit, por kurrë nuk i kemi humbur shpresat. Thjesht ishte një nisje e dobët, ngaqë na u larguan lojtarë kryesorë si Tevez, Vidal dhe Pirlo. E dinim se do të ringriheshim dhe do të ngjiteshim aty ku na takon, në vendin e parë.
– Barazimi me Bolonjën besoj të ka ulur pak me këmbë në tokë. Tani vjen sfida me Bajernin. Si e parashikon?
– Në fushë do të zbresin dy ekipe plot histori në Evropë. Ndeshje të tilla nuk parashikohen. Si tifozë, ne e bëjmë fitoren “të kryer”, por realiteti është ndryshe. Mendoj se shanset janë 50 me 50 dhe le të fitojë më i miri.
– Jo kaq diplomatik …
– Mirë, shpresoj për një fitore 1-0. Për ne do të jetë e rëndësishme ta mbajmë portën të paprekur në Torino.
– Kush është idhulli yt te Juventusi?
– Padyshim, Alesandro del Piero, njeriu i cili ka fituar zemrat e të gjithë tifozëve juventinë dhe jo vetëm timen. Për mua nuk është thjesht një lojtar. Sinqerisht, nuk kam fjalë ta përshkruaj.
– Dibala sivjet po i çmend të gjithë në Serie A. Ç’mund të thuash për këtë djalosh të talentuar, të cilin thuhet se e do edhe Bajerni?
– Për Paulon po flet e gjithë bota në këto momente dhe komentet do të ishin të tepërta. Ai është një lojtar fantastik, i cili dita-ditës po bind se paratë e shpenzuara për ta nuk shkuan dëm. Ai shtyn gjithë ekipin përpara, e merr topin që nga mesfusha, sakrifikon kur është e nevojshme dhe shënon – mbi të gjitha. E ardhmja i përket atij.
– A je ndër tifozët juventinë, të cilët 24 orë flasin për Pogbanë?
– (Qesh.) Në pamje të parë, ai mund të duket egoist, por s’është ashtu. Ai është një 22-vjeçar, i cili jep gjithmonë më të mirën në fushë dhe shënon gola të çmendur. Pra, natyrisht që komentojmë pafund për të. Kush nuk do të donte ta kishte në skuadër? Fatin e kemi vetëm ne dhe shpresojmë ta mbajmë edhe për shumë vite të tjera.
– Edhe Bajerni ka yje. Për shembull, kur mendon se në portë është një Nojer, kurse në sulm një Levandovski. U druhesh?
– Sot për sot, mendoj se Levandovski është një nga tre sulmuesit pykë më të mirë në botë. Kjo vjen edhe si rrjedhojë e ndihmës që ai merr nga yje si Kosta, Koman dhe Myler, të cilët ia bëjnë më të lehtë për të qenë një makineri e frikshme. Nojer, nga ana tjetër, është një portier me aftësi të shkëlqyera dhe forma e tij vit pas viti njeh vetëm rritje. Nëse Bajerni pëson aq pak gola, padyshim që meritë të madhe ka gardiani i ekipit.
– Po ndonjë tjetër bavarez, ke frikë?
– Po, Kostën. Është shumë i shpejtë dhe arrin të depërtojë në zona të ngushta.
– Ç’mendon se do të shpikë Guardiola kundër Juventusit?
– Ai gjithnjë praktikon sistemin e vet të lojës, i përqendruar te mbajtja e topit dhe goditja e kundërshtarit në hapësirat e ngushta të lëna bosh. Pep do të përpiqet të na mbajë nën presion dhe për këtë duhet të jemi të përgatitur.
Po të ishe ti Alegri, cili do të ishte formacioni yt i titullarëve kundër Bajernit?
– Nga porta te sulmi, do të zgjidhja: Bufon, Lihtshtajner, Bonuçi, Barzalji, Evra, Kuadrado, Kedira, Markizio, Pogba, Dibala dhe Morata.
– Të “dogji” largimi i Vidalit?
– Vidal ishte një lojtar mjaft i rëndësishëm për ne, pasi ishte një luftëtar i vërtetë. Por, nëse dëshira e tij ishte të largohet, duhet ta bënte, patjetër. Ikën një Vidal, por vjen një tjetër. Juventusi mbetet gjithmonë Juventus.
– E ke ndjekur te Bajerni?
– Po, patjetër.
– Dhe si të duket?
– Kam përshtypjen se ai nuk përshtatet dot me lojën që do Guardiola. Mbase me Ançelotin në sezonin e ardhshëm do të jetë një lojtar më i rëndësishëm për bavarezët, pasi aftësitë padyshim që nuk i mungojnë.
– Ke ndonjë mesazh disi ngacmues për tifozët e Bajernit?
– I ftoj të na bashkohen në “Asllan Rusi” për të festuar fitoren e Juventusit.
– “Për të festuar”?! Sikur the se shanset ishin 50 me 50 …
– E kërkove vetë, apo jo? (Qesh.) Ishte vetëm një batutë. Të dyja tifozeritë jemi shumë objektive dhe e kemi treguar gjithmonë këtë. Uroj të shohim një ndeshje të bukur, sepse – fillimisht – dashurojmë futbollin.


Kristi (“UJB”): Kujdes nga Myler, ja si duhet të mbrojmë!

 Për administratorin e faqes “Unë jam Bavarez”, i cili preferon të quhet thjesht Kristi, Juventusi duhet respektuar edhe sikur të luajë me skuadrën e dytë. Djaloshi nga Korça themeloi faqen e vet më 1 maj 2010 dhe një vit më pas shijoi frytet e punës së tij me “fan club”-in me të njëjtin emër (7 nëntor 2011). Bashkëpunëtori i tij i kahershëm, administratori Armando, është angazhuar pafund, që sot “UJB”-ja të ketë mbi 350 anëtarë. Sipas Kristit, mjafton dyshja Myler-Alaba për të pasur “formacionin ideal”. Ai mahnit kur analizon ecurinë e Pep Guardiolës në Mynih si dhe kur shpjegon çështjen e dëmtimeve të bavarezëve.

– Si e vlerëson punën e Guardiolës në tre vite në Mynih?
– Pep ka pasur tre sezone të mira, bashkë me këtë të fundit. Ne kemi parë dorën e tij te një skuadër shumë elastike, mbase si asnjëherë më parë në futboll. Por kam edhe unë “pengjet” e mia. Pep gaboi në çastet më të rëndësishme, çka zbeh shumë gjëra. Gjithsesi, një “Champions” do ta largonte si triumfator.
– Cilat ishin ndjesitë e tua, kur ai lajmëroi se në verë largohet?
– Deri-diku e prisja. Mendoj se Pep erdhi në momentin e gabuar te ne. Ai erdhi kur Bajerni gjendej në majë me një grup të konsoliduar futbollistësh dhe larg moshës për të mësuar një futboll të ri. Nga ana tjetër, Pep vinte për të ndërtuar një ide nga e para, por është e pamundur të bëhet me lojtarë, të cilët luanin prej vitesh në nivelin më të lartë. Nëse ardhja e tij do të kishte ndodhur dy vite më vonë, mbase do të kishim një histori ndryshe.
– Bajernit i përshtatet më shumë Pep apo Ançeloti?
– Mendoj se skuadra u përshtatet të dyve, por – nga sa kemi kuptuar gjithë këto vite – të jesh fitues nuk do të thotë të jesh trajneri më i mirë. Ançeloti di si të mbajë bashkë një skuadër, sidomos në pjesën emocionale. Pep është aq shumë i fiksuar me detajet futbollistike, saqë harron se punon me njerëz. Edhe tifozët e Barcelonës e cilësojnë një trajner të madh, por një njeri të vogël. Këtë mund ta konfirmojmë edhe ne. Kemi dëgjuar deklarata pa lidhje, si “do të doja të kisha 1000 Dante”, apo duke e bërë çdo lojtar më të mirin në botë në një veçori, por – nga ana tjetër – në fushë nuk i jepte besim. Fjalë boshe, që nuk ndihmuan shumë.
Domethënë, Bajernit i duhet një babaxhan?
– Pikërisht. Pep është një shkallë më lart se çdo trajner tjetër në aspektin taktik, por një ekip kaq familjar si Bajerni mbase ka nevojë më shumë për një Hicfeld, Hajnkes dhe Ançeloti, se sa një gjeni taktikash.
– Largohemi nga stoli dhe kalojmë te fusha. Ke ndonjë idhull te Bajerni?
– Idhull është fjalë e madhe, por për mua Alaba dhe Myler janë lojtarë të rrallë.
Çfarë ka Myler të veçantë?
– Mylerin nuk e shpjegojnë dot jo vetëm ata të cilët rrinë përditë me të, por as ai veten. Është një lojtar, i cili vetvetiu të bën ta duash futbollin. Ai është thjesht Myler, i paparashikueshëm.
– Do të jetë i tillë ndaj Juventusit?
– “Champions”-in e ka me qejf …
– Sa do të ndikojnë dëmtimet e Bajernit në mbrojtje në ndeshjen e së martës?
– Shumë dhe pak. Duhet të mos biem pre e kundërsulmeve. Nëse Bajerni mbron me gjithë skuadrën duke mos lënë hapësira, dëmtimet nuk do të jenë problem. Nëse Bajerni do të tentojë medoemos të bëjë presing lart dhe të mbajë topin në gjysmëfushën e Juventusit, do ta pësojmë. Unë jam me teorinë që mbrojtja bëhet nga gjithë ekipi, jo nga katër emrat e defensivës. Viti i tripletës sonë ma konfirmon këtë.
– Ke ndonjë ide për 11-shin e Bajernit në Torino?
– Me Mylerin dhe Alabën në fushë.
– Me idhujt aktualë, domethënë. Të mjaftojnë këta për të mos e pasur frikë Juventusin?
– Juventusi është skuadër për t’u respektuar, edhe nëse luan me ekipin e dytë.
– Cilat janë dy pikat më të forta të Bajernit dhe të Juventusit?
– Bajerni ka përvojën dhe dëshirën për t’u ngritur sërish pas dy viteve me gabime. Juventusi ka euforinë dhe cinizmin. Mendoj se ndeshjet më të vështira këtë sezon i ka zgjidhur me cinizëm.
– Si e parashikon rezultatin?
– Parashikimet t’ua lëmë bastexhinjve.
– Cilin lojtar nga bardhezinjtë do të doje ta shihje si bavarez?
– Meqë Bajerni ka nevojë vetëm për një mbrojtës të djathtë, nuk shoh zgjidhje te Juventusi. Por, le të themi se lojtari më interesant është Dibala.
– Ke ndonjë mesazh “thumbues” për tifozët juventinë?
– Jo, aspak. U them të shijojnë këto sezone të mrekullueshme, sepse kanë një skuadër shumë simpatike.
– Duket qartë se ju “gjermanët” jeni të prerë në deklarata. Por nëse humbni në Torino, çfarë do të shkruash në faqe?
– Të mos shkojmë aq larg …

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here