Jupi: Lenjani u nxitua! Strakosha? Vendimi i duhur, nga njeriu i gabuar

Ish-futbollisti i kombëtares shqiptare Redi Jupi kreu një analizë të ngjarjeve të fundit të kombëtares shqiptare. Lënia jashtë e Strakoshës, reagimi i Ermir Lenjanit dhe lista e trajnerit Kristian Panuçi kanë qenë temat e prekura nga Jupi në emisionin “Procesi Sportiv”, në “Top Channel”.

STRAKOSHA – “Për mua Strakosha është një lojtar i rëndësishëm në kombëtaren e Shqipërisë, pasi është portieri titullar dhe e tashmja dhe e ardhmja e portës së kombëtares. Për mua është një vendim i drejtë, por i marrë nga njeriu i gabuar”.

 “Vendimi i drejtë, sepse disiplina është një mjetet për rregulluar marrëdhëniet brenda një ekipi me 25 djem. Problemi është, që për të krijuar një frymë në një skuadër ka disa elementë. Mua nuk më pëlqejnë shumë gjëra që po bën trajneri, qoftë lista, qoftë mënyra e lojës. Lojtari duhet të ishte më i kujdesshëm, duke ditur natyrën e trajnerit. Nuk besoj se trajneri do të jetë çmendur dhe ndoshta është faji i lojtarit”.

GJENDJA E KOMBËTARES – “Mua më duket se kemi shpenzuar dy vite dhe tani jemi në një pikë të asgjëje.  Pavarësisht problemeve, këto dy vite mund të na kishin vlejtur, pasi do kishim fituar kthjelltësinë e nevojshme për të nisur një rrugëtim të ri. Unë e shikoj që atij i mungon kthjelltësia, nuk ka një logjikë në zgjedhjet dhe listat e tij”.

“Ai ka të drejtë kur thotë se pas 2016-ës mund të kemi krijuar një perceptim të gabuar të skuadrës. Por ama para atij evropiani u renditëm të dytët të grup që më pas u kualifikuam, ndërsa më pas dolëm në vend të tretë në eliminatoret e Botërorit. Nuk mund të themi tani se synojmë vendin e katërt në grup. E di që është e vështirë, por në vend të katërt nuk ka logjikë, pasi vijmë nga vendi i tretë”.

REAGIMI I LENJANIT – “Nuk jam dakord me statusin që ka bërë lojtari. Lenjani ka pasur raste që ka qenë pa ekip ose pa minuta dhe është marrë në kombëtare. Në një moment trajneri mund të vendosë të marrë një lojtarë tjetër dhe kjo është  e drejta e tij. Ai është djalë i pjekur dhe profesionist. M’u duk diçka e nxituar. Ai ka qenë pjesë e rëndësishme e kombëtares që u kualifikua në Europian”, tha Jupi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *