Junajtid kthehet në Champions, Xhaka sfidon Murinjon

“Djajtë e kuq” do të presin sonte në mbrëmje Bazelin në kthimin e tyre në elitën e futbollit evropian. Murinjo: “Nuk jemi ende gati”

Mançester Junajtid do të kthehet sonte në mbrëmje në elitën e futbollit evropian pas një viti e gjysmë ku skuadra e drejtuar nga Zhoze Murinjo do të presë Bazelin e Taulant Xhakës. Por trajneri i “Djajve të kuq” ka nxituar të frenojë euforinë në “Old Trafford”, duke pranuar se ekipi i tij është larg gjigantëve evropianë. Në katër sezonet e fundit Liga e Kampioneve është kthyer në një “çështje spanjolle” ku Reali ka triumfuar tri herë dhe njëherë ka fituar Barcelona. “Në Ligën e Kampioneve janë 4-5 skuadra me një cilësi të jashtëzakonshme, me një eksperiencë të pamatshme.

Kjo është ajo çfarë bën diferencën e madhe në një kompeticion kaq të fortë. Përtej tyre ka mjaft skuadra të tjera që për nga niveli janë të ngjashëm me atë që jemi përballur në sezonin e kaluar në Ligën e Kampioneve. Objektivi jonë parësor është të kalojmë këtë fazë dhe të shijojmë fazën tjetër të eliminimeve të drejtpërdrejta. Ndonëse duket sikur po sillemi si shumë modestë, kjo nuk do të thotë se nuk jemi bnë gjendje të fitojmë kundër Bazelit. Sigurisht, që ne mund t’ia dalim. Të jesh i përulur dhe me këmbë në tokë do të thotë të respektosh kundërshtarin, i cili vjen për të luajtur në Old Trafford me të njëjtin motivim sikurse dhe ne. Bazeli vjen në Mançester për të na bërë ndonjë surprizë të hidhur. E kanë bërë dhe më parë, ndaj duhet të bëjmë kujdes. Por ne zbresim në fushë vetëm për ta fituar këtë takim”- ka thënë tekniku i “Djajve të kuq” Zhoze Murinjo.

Shanset për të fituar Champions – Edhe pse Murinjo e sheh ekipin e tij larg gjigantëve evropianë si Reali, Barcelona, Bajerni apo ndonjë klub tjetër, në Angli i shohin “Djajtë” me një sy ndryshe. Për anglezët Junajtid është shpresa e madhe evropiane. Por Murinjo ka përsëritur vetëm, duke frenuar çdo eufori. “Të thuash në këtë moment se ne jemi kandidatë për të fituar Chamionsin është disi e tepruar. Unë them se ne jemi kandidatë vetëm për të fituar takimin kundër Bazelit”

Vështirësitë në Evropë – Murinjo ka tërhequr vëmendjen gjithashtu duke vënë në dukje vështirësitë e klubeve të Premier Ligës në Evropë për shkak të kalendarit shumë të ngjeshur në ishull. “Nuk kemi se çfarë të bëjmë. Është humbje kohe të diskutojmë çdo vit të njëjtën histori, pasi të gjithë e dimë se klubet angleze janë të penalizuara në Evropë për shkak të kalendarit vendas.”

Rikthimi në Champions – “Unë e kam vlerësuar maksimalisht Ligën e Evropës. Por rikthimi në Champions për Junajtidin është një detyrim, një kthim në habitatin natyror të këtij klubi, ndaj jemi të kënaqur që do të shijojmë sërish magjinë e netëve në Champions”- ka thënë Murinjo.

5 takime

Ky do të jetë takimi i pestë mes këtyre dy ekipeve në Champions. Deri më tani baraspeshë e plotë, nga një fitore për kokë dhe 2 barazime

 

Formacioni i mundshëm i Junajtidit (4-2-3-1)

De Gea

Valencia Lindelof Smolling Blind

Matiç Pogba

Mikitarian Mata Rashford

Lukaku

 

Formacioni i mundshëm i Bazelit (4-2-3-1)

Vaclik

Lang Suçi Akanji Riveros

Xhaka Zufi

Stefen Elionusi Bua

Volfsvinkel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *