Juliano: Përballje e çuditshme ndaj Kamzës, stërvitemi së bashku

Trajneri i Partizanit, Mark Juliano, ka folur në prag të sfidës së nesërme kundër Kamzës, rival që ka habitur të gjithë me startin e shkëlqyer të sezonit dhe tashmë është mbi Partizanin në renditje. Trajneri italian larrgon presionin dhe pret fitore nga skuadra e tij, opasi loja po vjen në rritje, sipas tij.

Skuadra – “Sigurisht, skuadra sa vjen e po tregon rritje nga java në javë, pavarësisht nga humbja ndaj Flamurtarit. Pësuam këtë humbje, që na ka zhgënjyer të gjithëve. Edhe lojtarët janë të vetëdijshëm për rezultatin që kemi arritur në ndeshjen e fundit ndaj Flamurtarit, por secili duhet të marrë përgjegjësitë e veta. Mendoj se duhet të rikthehemi te rezultatet pozitive. Në aspektin psikologjik, skuadra nuk është dhe aq mirë, sidomos pas humbjes që pësuam ndaj Flamurtarit. Sidoqoftë, ne tashmë duhet të ringrihemi, të gjithë të japin më të mirën, t’u rikthehemi rezultateve pozitive. Më vjen keq për lojtarët, për tifozët, për skuadrën, sa i përket rezultatit të ndeshjes së fundit, sepse nuk kemi arritur të kënaqeshim. Në aspektin personal nuk qahem, sepse jam këtu për të punuar, për të bërë më të mirën. Më vjen në ndihmë eksperienca që kam pasur në botën e futbollit. Finalizimi është “thembra e Akilit”, që po na mundon gjatë këtyre javëve kampionat”.

Skënderbeu duket larg – “Sa i përket pikëve dhe klasifikimit të momentit, sigurisht që diferencat janë të mëdha. Unë e shoh këtë në një tjetër aspekt. Ne sapo kemi nisur një projekt të ri, në krahasim me Skënderbeun, që prej disa sezonesh vazhdon të jetë i qëndrueshëm dhe me të njëjtin grup lojtarësh. Nuk kemi pasur në dispozicion disa prej lojtarëve tanë, të cilët kanë mbërritur merkaton e verës. Kjo diferencë mes nesh dhe Skënderbeut mendoj se është vetëm në aspektin e pikëve, sepse në lojëra po tregojmë ngritje nga java në javë”.

Kamza, Raçiç dhe Plaku përballë – “E kam ndjekur Kamzën përgjatë gjithë kësaj kohe. Sigurisht, është një skuadër që shfaq futboll të qëndrueshëm, ka një grup mjaft kompakt, por ka edhe disa individë, që mund të vendosin fatin e një ndeshjeje. Në krahasim me ne, Kamza ka pasur një avantazh, vazhdimësinë e rezultateve pozitive. Ne kemi pasur luhatje në rezultate. Është një skuadër që e kam studiuar,kundërshtar i vështirë. Ne duhet të bëjmë maksimumin, të japim më shumë se 100 për qind në fushën e lojës për të nxjerrë edhe aspektet cilësore që lojtarët tanë disponojnë. Ne do të marrim masat tona, duke parë se Kamza disponon dy sulmues, si Plaku dhe Raçiç, që më parë kanë luajtur edhe me Partizanin. Do të marrim masat tona për t’i neutralizuar të dy këta sulmues dhe për ta goditur Kamzën në pikat e saj të dobëta. Do të luajmë disa qindra metra larg fushës ku stërvitemi, ndaj një kundërshtari me të cilin përshëndetemi përditë, sepse stërvitemi në të njëjtin kompleks. Kam shumë miq te Kamza, përshëndetemi përditë, por kur vjen puna te fusha e lojës, secili e kërkon fitoren për vete. Në fakt, nuk është natyrale kur dy skuadra, që do të ndeshen në fundjavë, stërviten në të njëjtën fushë, ndoshta edhe në të njëjtin orar. Nuk është aspak e lehtë ta përgatitësh skuadrën taktikisht, ose teknikisht, se si do të zbresë në fushë përballë një kundërshtari, që stërvitet në anën tjetër të fushës, ku sigurisht të dy palët shohin me detaje njëri-tjetrin.  E di që presidenti i Kamzës është tifoz i Partizanit, por do të thosha se është e pamundur që të flasim në këtë moment, në të cilin gjendemi, pasi do të luajmë në fundjavë. Me siguri, edhe pse tifoz i zjarrtë i Partizanit, në këtë moment ai ka dëshirë që të fitojë skuadra që financon”.

Çani – “Sa do ta pres Çanin? E kam thënë edhe më parë se nuk dua të flas sa i takon gjendjes, apo kur do të rikthehet Çani. Vetëm në momentin kur të jetë 100 për qind për lojë, atëherë do të flas. Kjo vlen jo vetëm për Çanin, por edhe për të tjerët, që nuk kanë debutuar ende me Partizanin. Nuk dua të as as për Sukajn, apo ndonjë tjetër, që të paktën nuk do t’i kem të gatshëm për ndeshjen e radhës. Cilido lojtar do të luajë vetëm kur të jetë në 100 për qindëshin e vet. Diçka të tillë e bëmë edhe me Asanin, të cilin e pëlqej shumë. Gradualisht, kur unë të kem përgjigjet e duhura, se lojtarët e paaktivizuar ende do të jenë të gatshëm, do t’u jepet mundësia”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *