Juliano mungon sërish, formacioni në “ajër”

Trajneri i Partizanit ka munguar sërish në stërvitjen e ekipit. Të kuqtë nuk e dinë si do të luajnë ndaj Teutës. Shumë dilema për formacionin…

Skuadra e Partizanit ka zhvilluar stërvitjen e djeshme nën urdhrat e zëvendëstrajnerëve Dosena dhe Dalipit. Trajneri i skuadrës Mark Juliano nuk ka qenë i pranishëm në seancën e djeshme stërvitore dhe lojtarët i kanë kryer ato pa praninë e numrit një të stolit.

Sipas asaj që bëhet e ditur arsyeja se pse Juliano nuk ka qenë i pranishëm lidhet me një sëmundje të tij, grip. Kjo është hera e dytë brenda pak javësh që Juliano nuk del në stërvitje dhe për të njëjtën arsye, për shkak të problemeve shëndetësore.

Duket paksa e çuditshme kjo gjendje e trajnerit italian, i cili nuk arrin të dalë për të bërë stërvitje. Lojtarëve i është komunikuar se numri një i stolit nuk është në stërvitje, pasi është i sëmur.

PARTIZANI – Gazeta ka kontaktuar me zyrën e shtypit të klubit të Partizanit për të marrë një përgjigje zyrtare për mungesën e trajnerit Juliano në stërvitje. Zëdhënësi Olsi Ranxhi tregon se trajneri Juliano nuk ka dalë në stërvitje për shkak të një gjendjeje gripale.

FORMACIONI – Ndeshja ndaj Teutës është shumë e rëndësishme për ecurinë e kampionatit dhe të ardhmen e të kuqve. “Demat” nuk kanë asnjë alternativë tjetër përveç fitores në një fushë të vështirë siç është stadiumi “Niko Dovana”. Stafi teknik ka dyshimet e tij në lidhje me formacionin që do të hedhë nga minuta e parë në fushën e lojës. Pikëpyetjet më të mëdha të trajnerit Juliano janë në mbrojtje dhe në sulm, pjesa tjetër e ekipit nuk ka shumë dilema, pasi porta dhe mesfusha janë të stabilizuar.

MBROJTJA – Juliano ka dilema në mbrojtje dhe në sulm. Në mbrojtje problemet e Fejzullahit dhe rikthimi i Malotës në gatishmëri e bëjnë të vuaj teknikun italian. Në krahun e djathtë ka vendosur Prognin, një pozicion që nuk i merr më të mirën atij. Në qendër kanë luajtur Krasniqi dhe Atanda, ndërsa majtas Kotobelli. Megjithatë, rikthimi i Malotës dhe paraqitja e Kalarit në ndeshjen miqësore kundër Pelisterit kanë vënë në vështirësi Julianon. Malota po fiton formën e tij, ndërsa në krahun e majtë Kotobelli po ndien presionin e performancave të Kalarit. Trajneri Juliano e pranoi edhe pas ndeshjes me maqedonasit që po e vënë në vështirësi.

SULMI – Në sfidën kundër Lushnjes, Sukaj e nisi nga stoli duke i bërë vend Bardhit. Juliano preferoi një formacion me “9” fals, por nuk rezultoi ashtu siç priste, se Partizani nuk shkoi te goli, tani duket se është radha e shkodranit për të pasur minutat e tij.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *