Juliano i larguar, por duhet paguar

Trajneri është praktikisht i larguar, e shoqëron zëvendësi Dosena. Emri surprizë? Antonelo Preiti në “fije të perit”. Demi vendos sot në mbledhje

“E heqim, do ndërrojmë trajner” – kjo ishte fjala nën zë e drejtuesve të Partizanit pas ndeshjes me Kamzën. Ishte dhe është thuajse e sigurt, Juliano është i larguar. Dështimi i Partizanit do të presë “kokën e parë të turkut”, rregulli i pashkruar, trajneri e pëson i pari. Nuk do shumë mend të kuptohet largimi i Julianos, pasi rezultatet e Partizanit janë skandaloze. Ekipi i kuq në 9 javë kampionat, në një fazë ka më shumë humbje se fitore. “Demat” kanë 4 humbje, 3 fitore dhe 2 barazime. Për një ekip që shpresonte dhe donte titullin kampion, a mos kanë rezistuar dhe toleruar shumë italianin?

Tashmë durimi ka marrë fund dhe duket se Juliano dhe stafi i tij janë thuajse të shkarkuar. Një hap larg largimit dhe kthimit në Italia.

LARGIMI I TRAJNERIT – Presidenti Gaz Demi dhe njerëzit rreth tij duan ta heqin teknikun, pasi nuk besojnë më te ai. Vendimi është thuajse i marrë, megjithatë ka vetëm disa pikëpyetje “të vogla”. Nëse largohet në mes të sezonit, Juliano duhet paguar sipas kontratës së bashku me stafin e tij, pasi Dosena do e ndjekë nga pas, ndërsa duhet gjetur edhe zëvendësi i tij. Italiani nuk pranon të japë dorëheqjen, ndërsa vendimi i mbetet presidentit Demi.

VENDIMI I DEMIT – Numri një i klubit nuk ka besim te Juliano, e vetmja mënyrë që të mbetet në punë është këmbëngulja e Moxhit, por edhe atij po i sos durimi. Presidenti Demi dhe stafi i tij do të mblidhen sot në një mbledhje urgjente për të vendosur edhe për fatet e skuadrës së kuqe. Nga kjo mbledhje do të ndahen edhe përgjegjësitë dhe do të vendoset edhe për të ardhmen.

“SURPRIZA” PREITI – I rrezikuari tjetër i madh është drejtori sportiv Antonelo Preiti. Italiani nuk ka bërë një merkato të kënaqshme dhe puna e tij është vënë në dyshim nga drejtuesit e klubit. “Sport Ekspres” mëson se në klubin e kuq kanë nisur të mendojnë edhe për emrat që mund ta zëvendësojnë. Raportet e tij me Moxhin nuk janë më aq të përzemërta dhe kjo ndikon direkt edhe në punën e tij dhe pozicionin e tij.

SITUATA – Konfuzion i madh është për momentin te Partizani. Të kuqtë janë në ajër dhe asnjë vendim nuk është i qartë. Megjithatë, “klani i italianëve” ka humbur nga fuqia e tij dhe tashmë presidenti Demi duket se do të vendosë të ardhmen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *