Juliano: E kemi studiuar mirë Flamurtarin, Basrak në rrugën e duhur

Trajneri i Partizanit, Mark Juliano, ka folur sot në konferencën e zakonshme për shtyp në prag të sfidës së nesërme ndaj Flamurtarit, në Tiranë. Italiani kërkon përqendrim maksimal, ndaj një rivali për të cilin ka fjalë shumë të mira, ndërsa i jep besim sulmuesit kryesor në këtë moment, Basrak.

Flamurtari – “Flamurtarin e konsideroj një kundërshtar mjaft të fortë. E kemi studiuar përgjatë gjithë javës , është një skuadër që ndryshon shpesh skemat e lojës, disponon lojtarë cilësorë dhe është një ekip për tu marrë në konsideratë. Ne duhet të tregojmë forcën tonë, të shfaqim dëshirën që kemi për të vazhduar serinë e fitoreve. Ne po punojmë që të kemi këtë vazhdimësi pozitive, skuadra po rritet nga java në javë dhe sigurisht rezultatet janë fryt i kësaj pune që ne kemi nisur që në muajin gusht. Por e rëndësishme është që të kemi përqendrim maksimal në çdo ndeshje , pasi nëse nuk jemi të përqendruar mund të goditemi në çdo moment. Duhet të jemi me këmbë në tokë dhe të kërkojmë të bëjmë paraqitje të mira, rezultate dhe të bindim me punën që jemi duke bërë.”.

Mungesat – “Në këtë moment kam në dispozicion të gjithë lojtarët , përfshirë Kalarin dhe Malotën, të cilët janë përgatitur normalisht me skuadrën. Do të vlerësoj deri në momentin e fundit gjendjen e tyre, por besoj se do t’i kem të gatshëm për takimin ndaj Flamurtarit”.

Basrak – “Basrak është një lojtar të cilin ne e kemi vlerësuar që në fillim. Ai ka pasur disa probleme fizike dhe ambientimi, sikurse edhe lojtarët e tjerë që janë afruar në këtë sezon. Në këtë moment Basrak po paraqitet mirë, shënoi ndaj Vllaznisë dhe sigurisht goli është mjaft i rëndësishëm për sulmuesin. Fizikisht Basrak po rritet shumë dhe jam i bindur që do të vazhdoj të bëjë edhe më mirë, për më tepër që në këtë moment është sulmuesi i vetëm që kemi në dispozicion, ndaj dhe përgjegjësia ndaj tij do të jetë edhe më e madhe.

Shpëtim Duro përballë – “Është një trajner me ide dhe e respektoj shumë. Kam ndjekur ndeshjet e Flamurtarit ka në skuadër mjaft lojtarë me kualitet. E përsëris që në këtë moment Flamurtari është kundërshtari më i vështirë që do të përballemi, për ta mposhtur ne duhet të japim në fushë shumë më shumë se ata”.

Italianët dhe Shqipëria – “Vierin e Maldinin i kam shumë miq, ata shpesh më pyesin dhe janë shumë të interesuar për eksperiencën time në Shqipëri me Partizanin, madje Vieri më ka premtuar se do të vijë të ndjekë një prej ndeshjeve të Partizanit. Ardhja e De Biazit, Panuçit e Moxhit në Shqipëri kanë rritur ndjeshëm interesimin për kampionatin dhe futbollin shqiptar , pasi ka vërtet lojtar cilësorë si brenda edhe jashtë Shqipërisë. Jam entuziast që për futbollin shqiptar ka një interesim të tillë, por mendoj se kjo gjë kënaq shumë edhe tifozët shqiptarë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *