Julian Deda bëhet zëri i gjithë tifozëve të Vllaznisë: Zot hidhi sytë nga vendlindja ime, të lutem!

0

Është thënë e stërthënë që Vllaznia rrezikon, në rrugën qorre që është futur prej vitesh, por duket se ata që e kanë në dorë të bëjnë diçka për shpëtimin e saj nuk kanë pasur dëshirë ose ide si ta shpëtonin. Muajt e fundit është folur për privatizim, por procesi po ecën me një ngadalë irrituese dhe ndërkohë është zbuluar që borxhi i klubit kap 1 miliard lek.

Barazimi i djeshëm ndaj Kamzës ka afruar humnerën dhe të gjithë po e shohin që Vllazninë po e pret fati i Tiranës vjet, që ra pikërisht në Shkodër.

Për këtë arsye, një emër i njohur i artit shkodran, por edhe tifoz i thekur, Julian Deda, i lutet Zotit që ta shpëtojë Vllazninë, sepse ata që kanë pasur në dorë ta shpëtojnë, nuk kishin kohë.

 

Më vjen keq për Vllazninë, me plas më vjen. Skuadra e zemrës është në ditët e saj më të vështira, është në prag të katastrofës historike.

E gjitha vjen jo për shkak të kualiteteve, të cilat Shkodra i ka me tonelata dhe shkëlqejnë kudo që luajnë, por për shkak të keqmenaxhimit, të indiferencës dhe mosbërjes asgjë për të ruajtur traditën.

Më falni, por, nëse nuk kujdeset për Vllazninë, për çfarë dreqin po kujdeset tjetër Bashkia e Shkodrës?

Nëse nuk bën asgjë për Vllazninë, thjesht nuk ke bërë asgjë për asgjë dhe që tani mund ta quash pa frikë një mandat 100% të dështuar.

Eshtë i dyti vit radhazi, që Vllaznia lëngon. Vjet na ndihmoi Zoti, sivjet jemi përsëri në dorë të Tij. Pyetja ngrihet: A është e qëllimtë e gjitha kjo?

Mendimet dhe ndjesitë nuk ia vërtetojmë dot askujt, por veprimet dhe mosveprimet janë të dukshme.

Vllaznisë nuk ia ulën kokën as lojtarët, as trajnerët, as tifozët, as 1997-ta, madje, as komunizmi, por sot, e shkreta, gjunjëzohet nga paaftësia.

Vllazni, o zemër; shpresoj shumë që në këto ndeshje, që kanë ngelur, ti të gjesh forcë të tregosh se ajo bluzë peshon rëndë që prej 1919-tës dhe s’mund të hidhet si leckë nga të papërgjegjshmit.

Nuk shkohet drejt 100-vjetorit kokulur! Ai qytet ka një binom të pandarë, Teatrin dhe Vllazninë. Nëse njëra nuk është, Shkodra çalon.

Zot hidhi sytë nga vendlindja ime, të lutem!

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.